Koalicionet e mëdha në Evropë kanë mundësuar lulëzimin e ekstremeve

Koalicionet e mëdha në Evropë kanë mundësuar lulëzimin e ekstremeve
  • 03 May 2016 - 10:02

Shkruan: Wolfgang Münchau  

Trendi është tejet shqetësues dhe implikimet për Evropën janë të tmerrshme.


Votuesit janë haptazi të rebeluar kundër asaj që ne në Evropë e quajmë koalicion i madh

Në letër mund të duket mirë: kundërshtarët tradicionalë bashkohen për interesa nacionale për ta formuar një qeveri me shumicë të madhe, që ofron stabilitet dhe mundëson ndjekjen e reformave të vështira, megjithatë të nevojshme. Në fakt, kjo gjë është katastrofë, siç e dëshmon edhe përvoja e disa shteteve evropiane. Ta marrim Austrinë si shembull: në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në fillim të muajit prill votuesit i kanë dhënë një goditje të rëndë dy partive kryesore - Socialdemokratëve dhe partisë së qendrës së djathtë, që bashkërisht përbëjnë koalicionin qeverisës dhe ua kanë dhënë fitoren kandidatëve të partive të ekstremit të djathtë - Partisë për Liri dhe partisë së Gjelbër. Votuesit janë haptazi të rebeluar kundër asaj që ne në Evropë e quajmë koalicion i madh. Ne i kemi quajtur aleancat në mes të partive kryesore të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë 'koalicione të mëdha' për një arsye të thjeshtë. Bashkërisht, partitë e tilla kanë pasur shumicën prej 80 për qind, ose edhe më shumë. Mirëpo, shumica që këto parti e kanë pasur është dobësuar, e në disa raste edhe është zhdukur. Në Austri ka ndodhur pikërisht kjo gjë. Në Gjermani sondazhi i fundit tregon që koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Angela Merkel, që përbëhet nga Partia Kristiandemokrate dhe Partia Socialdemokrate, ka bashkërisht mbështetjen e 50.5 për qind të votuesve. Kjo është një shumicë e ngushtë, mirëpo partitë rrezikojnë humbje të madhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Gjermania mund të mos jetë në pozitën në të cilën është sot Austria, mirëpo trendi është tejet shqetësues dhe implikimet për Evropën janë të tmerrshme. Trendi në fjalë është nxitur nga kombinimi i rritjes së vogël e ekonomike, krizave të vazhdueshme financiare dhe rritjes së imigrimit. Dalin në skenë parti të reja ekstreme Zonja Merkel është liderja më qendrore e Partisë Kristiandemokrate, që ka udhëhequr ndonjëherë partinë. Qëndrimi i saj ndaj krizës së refugjatëve dhe energjisë nukleare dallojnë pak nga qëndrimet e socialdemokratëve dhe të Gjelbërve. Edhe socialdemokratët kanë lëvizur drejt qendrës. Partia e pranon Partneritetin Transatlantik për Tregti dhe Investime, një marrëveshje tregtare në mes të SHBA-së dhe BE-së. Gjatë krizës së Eurozonës kjo parti ka mbështetur veton e zonjës Merkel për instrumente të përbashkë- ta evropiane për borxhin dhe sigurimet e depozitës. Nëse lexohen programet e të dy partive mund të gjenden dallime të mëdha në politikat sociale dhe ekonomike, mirëpo në praktikë, partitë janë të padallueshme. Kritikët e koalicioneve të mëdha e kanë parashikuar atë që është duke ndodhur tani. Strategët shkurtpamës të partisë i kishin injoruar paralajmërimet e tyre. Sa herë që dy partitë e mëdha të Gjermanisë kanë krijuar koalicion të madh, janë forcuar ekstremet. Koalicioni i madh i periudhës 1966-69 kishte fuqizuar NPD-në, një parti ultra e djathtë. Ky koalicion kishte ndikuar edhe në fuqizimin dhe rritjen e lëvizjeve ekstremiste të krahut të majtë, nga të cilat ka lindur edhe rrjeti terrorist Baader-Meinhof. Koalicioni i madh i periudhës 2005-09 kishte nxitur mbështetjen e votuesve për partinë e majtë dhe Partinë e Gjelbër. Përfituesi më i madh nga koalicioni i tanishëm, që është krijuar në vitin 2013, është Alternativa për Gjermaninë, partia e ekstremit të djathtë, që është kundër imigrimit. Sipas sondazheve të fundit, mbështetja për këtë parti është ngritur nga 4.7 në 13.5 për qind. Arsyeja kryesore pse Gjermania ka përfunduar me një koalicion të madh është sepse që të dy partitë, në mënyrë kategorike, kishin refuzuar marrëveshjet me grupet ekstremiste. Kjo gjë e kishte lënë koalicionin e madh mundësinë e vetme për ta krijuar shumicën. Socialdemokratët vazhdojnë ta refuzojnë mundësinë e koalicionit me Partinë e Majtë në nivel kombëtar. Partia Kristiandemokrate, në anën tjetër, përjashton mundësinë e koalicionit me Alternativën për Gjermaninë. Kjo gjë bën që katër partitë e qendrës - dy partnerët e mëdhenj të koalicionit dhe dy partitë më të vogla, të gjelbrit dhe demokratët liberalë - të mbesin kandidatët e vetëm për formimin e Qeverisë. Alternativa për Gjermaninë ka mundësi të mira të bëhet partia më e madhe opozitare pas zgjedhjeve të vitit 2017. Cila është strategjia e mençur? Nga dy partnerët e koalicionit, rënia e socialdemokratëve është më dramatikja. Partia më e vjetër politike në Gjermani ka rënë në 19.5 për qind të votave (sipas sondazheve më të fundit) nga 40.9 për qind sa ka pasur në zgjedhjet e vitit 1998. Kjo parti ishte futur në koalicion si parti e dytë dhe arritja në pushtet dukej një gjë e mençur, mirëpo tani partia është duke paguar një çmim të rëndë për këtë veprim. Lidershipi i partisë vazhdon të besojë që zgjedhjet mund të fitohen vetëm nga qendra. Kjo gjë ka funksionuar për liderët e mëhershëm socialdemokratë, mirëpo nuk mund të funksionojë në një periudhë kur partneri i koalicionit veçse ka okupuar qendrën. Strategjia e mençur e partisë do të ishte caktimi i një lideri të partisë nga e majta. Partia Kristiandemokrate pritet që të jetë përsëri në qeveri, përveç nëse shënohet një rënie e madhe në mbështetje. Nëse do të kishim një tjetër koalicion të madh pas zgjedhjeve, me gjasë koalicioni do të udhëhiqej nga Angela Merkel, që do të ishte mandati i saj i katërt. Shumë njerëz do ta festonin këtë gjë si një vendim pragmatik. Mirëpo, sipas meje, kjo gjë do të ishte një katastrofë e madhe, pasi që do t'i hapte rrugë Alternativës për Gjermaninë që të mbërrinte në pushtet, dikur gjatë dekadës së ardhshme. Partia simotër e saj në Austri mund të vjen në pushtet brenda dy vitesh. (Wolfgang Münchau është kolumnist dhe redaktor në 'Financial Times')