Liberalizimi i vizave, ku të shkojmë me xhepa bosh?

Liberalizimi i vizave, ku të shkojmë me xhepa bosh?
  • 04 May 2016 - 09:45

Shkruan: Faton Mehmeti

Mos luani me ndjenjat e njerëzve!

Krekosja e Qeverisë është sa neveritëse, aq edhe tragjike

Isa e Hashimi po shfaqen mjaft të disponueshme këto ditë, bile Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve, uron qytetarët e Kosovës për lajmet e mira që pritet të vijnë këtë javë, për të cilën tha "se do të jetë një javë shumë dinamike dhe e mbushur me lajme historike" , duke aluduar në marrjen e rekomandimeve për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian. Por, cili është historiku i liberalizmit të vizave. Më 8 nëntor 2007 vendet e Evropës Juglindore nënshkruajnë marrëveshjen e lehtësimit të regjimit vizave. Kjo marrëveshje nënkuptonte se të gjitha vendet e Evropës Juglindore më se largu deri në 2015, por pa qenë definitive, do të jenë pjesë e kësaj pakete të Komisionit Evropian, si hapi i parë që këto vende të futen edhe në BE. Në korrik të vitit 2009 Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave "Shengen" për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, kishte lënë jashtë këtij afati kohor Shqipërinë e Bosnjën, dhe kishte përjashtuar krejtësisht Kosovën. Më vonë që të gjitha këto shtete do të fitonin të drejtën e qarkullimit pa viza, dhe Kosova, si e vetme në Evropë, do të mbetej padrejtësisht në geto. Komisioni Evropian kërkonte nga vendet që synojnë heqjen e liberalizmit të vizave që të plotësojnë disa kushte elementare, ndër to lufta ndaj korrupsionit, kërkesat për menaxhimin e kufijve, si dhe sistem monitorues të vazhdueshëm të hetimeverespektivisht Gjyqësor të pavarur. Disa nga vendet kanë përmbushur në tërësi këto parime e disa të tjera deri-diku.

Krekosja e Qeverisë

Kosova bën pjesë në vendet, të cilat nuk kanë përmbushur as për së afërmi kërkesat e Komisionit Evropian. Por, Komisioni Evropian është i detyruar që të bëjë liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës nga frika se frustrimi i qytetarëve të Kosovës do të rezultonte edhe me ikjen e tyre edhe më të madhe nga vendi, siç ndodhi para disa muajsh, si dhe nga humbja e kredibilitetit të saj karshi sjelljes së mosqetësisë në këtë pjesë të Ballkanit. Sado që krekosen Isa dhe Hashimi, liberalizmi i vizave nuk është rezultat i suksesit të tyre, pikërisht për shkak të keqqeverisjes së tyre jemi vendi i vetëm që ende nuk e kemi marrë liberalizmin e vizave, por liberalizmi i vizave është projekt i Komisionit Evropian. Por, pas liberalizimit, për çdo vizitë që bëhet në zonën Schengen, qytetarët e Kosovës gjatë udhë- timit, duhet të kenë me vete dokumente që dëshmojnë gjendjen e mjaftueshme financiare (dëshmi se kanë mjete të mjaftueshme për të mbuluar qëndrimin në shtetin përkatës), vendin ku do të qëndroni, arsyet e vizitës dhe sigurim shëndetësor.

Qytetarët kanë nevojë për bukë

Nëse do të vareshin sukseset nga marrja e liberalizmit të vizave, Kosova edhe për pesëdhjetë vite të ardhshme s'do ta përfitonte një gjë të tillë. Ndaj krekosja e Qeverisë është sa neveritëse, aq edhe tragjike. Tragjike në sensin që edhe përkundër marrjes së liberalizmit të vizave mbi 60 % të qytetarëve të papunë dhe 26 mijë familje kosovare, me rreth 115 mijë anëtarë, që përfitojnë nga asistenca sociale s'do të mund të përfitojnë nga liberalizmi i vizave. Ku të shkojnë dhe me çfarë të shkojnë në vendet e BE-së këta qytetarë, kur s'kanë bukë për të ngrënë. Liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës është luks, në kuptimin se çdo ditë po sfidojnë jetën për mbijetesë. Përderisa papunësia dhe korrupsioni në Kosovë është më i lartë në Evropë, dhe ku krimi ka arritur deri në majat e Qeverisë, liberalizmi i vizave është për t'iu hedhur sy qytetarëve, të cilët edhe po varin veten nga skamja, që kanë sjellë këta njerëz që krokasin e vetja u duket si shpëtimtarë të popullit. Mos luani me ndjenja të njerëzve, qytetarët kanë nevojë për bukë, derisa këtë nuk po e gjejnë në Kosovë patjetër se do gjejnë mundësi që të ikin nga ky vend. Zaten edhe kështu po dëshirojnë këta udhëheqës, që këtu të mbesin vetëm servilët e tyre, që Kosovën ta bëjnë pronë të tyre edhe zyrtarisht.