Ndryshimi i Evropës

Ndryshimi i Evropës
  • 04 May 2016 - 17:22

Shkruan: Joschka Fischer

Kriza financiare tronditi Eurozonën

Vetëm evropianët e vërtetë mund ta sigurojnë një të ardhme paqësore dhe përparimtare për Evropën

Pas pothuajse gjashtë dekadash të integrimit të suksesshëm, Evropa është shndërruar në një tipar të jetës së përditshme – një realitet politik, ekonomik, institucional dhe ligjor. Mirëpo, të gjitha manifestimet e Evropës varen në idenë qenësore të saj – në shpirtin e saj

Që prej vitit 2009, kur kriza financiare që kishte filluar në Amerikë në vitin 2008 kishte tronditur Eurozonën, menaxhimi i krizës është shndërruar në normalen e re të Evropës. Në fakt, Evropa ka përjetuar krizë pas krize dhe kjo gjë nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Evropa ka përjetuar një krizë financiare, krizën e Greqisë, krizën në Ukrainë dhe që prej fundit të verës së vitit 2015, krizën e refugjatëve. Tani, kur Britania e Madhe, njëri nga anëtarët më të fuqishëm të BE-së, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak, po përgatitet që ta mbajë referendumin, që do të vendosë nëse ky vend do të vazhdojë të jetë pjesë e BE-së apo jo, BE-ja shumë shpejt mund të ballafaqohet edhe me krizën e ndarjes. Në fakt, një krizë masive e besimit vis-à-vis Evropës dhe institucioneve të saj është krijuar në shumicën e shteteve anëtare të BE-së, duke nxitur kështu ringjalljen e partive nacionaliste politike, që promovojnë urrejtje për Evropën. Rinacionalizimi i Evropës është përshpejtuar, duke e bërë këtë krizë më të rrezikshmen të të gjitha kohërave, meqë kjo krizë rrezikon shpërbërjen e BE-së nga përbrenda.

Nacionalistët e rinj duan të përfitojnë për ta shkatërruar projektin

Liderët politikë të BE-së – liderët e shteteve dhe të qeverive të shteteve anëtare dhe liderët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian – kanë marrë një vendim fatal pas krizës financiare. Ata e kanë vendosur besimin e tyre në menaxhimin e krizës, e jo në zhvillimin e një vizioni për Evropën dhe një strategjie për arritjen e tij. Menaxhimi strategjik i Evropës do të kishte kërkuar bërjen e kompromiseve të nevojshme, që, pa dyshim, do të kishin paraqitur rreziqe politike për shtetet anëtare. Në vend se të vepronin kështu, liderët e BE-së kanë vendosur që ta lënë realitetin e disa krizave që ta kryenin punën në vend të tyre, duke e vendosur besimin e tyre në fuqinë e rrethanave. Mirëpo kjo qasje, e lindur nga veprimet frikacake dhe të gabuara, bart një çmim më vete, gjithashtu: Për qytetarët, një BE që ecën nga kriza në krizë është një imazh i mungesës së kompetencës, që nuk e vlen besimin e tyre, pasi që nuk është më zgjidhje për problemet e kontinentit të vjetër, mirëpo thjesht një tjetër problem për të. Pas pothuajse gjashtë dekadash të integrimit të suksesshëm, Evropa është shndërruar në një tipar të jetës së përditshme – një realitet politik, ekonomik, institucional dhe ligjor. Mirëpo, të gjitha manifestimet e Evropës varen në idenë qenësore të saj – në shpirtin e saj. Nëse kjo ide vdes për qytetarët e Evropës, BE-së do t’i vijë fundi. Gjërat nuk mund të shkojnë kështu, pasi që e ardhmja e kontinentit tonë në një botë të ndryshmeve të shpejta është tejet e rrezikuar. Politika e ‘hapave të foshnjës’ nuk është e mjaftueshme. Pas një vizioni të ri për Evropën dhe një qasje efektive për t’u marrë me krizat, nacionalistët e rinj (dhe të vjetër) të Evropës do të vazhdojnë të përfitojnë, duke vazhduar me përpjekjet e tyre për shkatërrimin e projektit për integrime paqësore në bazat e sundimit të ligjit.

Frika e rreziqeve politike

Referendumi në Britani të Madhe do ta tregojë rrugën, si për Britaninë ashtu edhe për gjithë BE-në. Ai do të pasohet ose nga një çlirim (gjë për të cilën shpresoj të ndodhë) ose nga një kataklizëm që e shkatërron BE-në në bërthamë dhe sjellë një katastrofë për BE-në. Mirëpo, pa marrë parasysh se për çka vendosë Britania e Madhe, krizat e shumta të Evropës duhet adresuar. Kriza financiare është larg të qenit e përfunduar, pasi që së fundmi ka marrë një veshje të re politike. Portugalia, Spanja dhe Irlanda kanë dëshmuar që shumica demokratike nuk ka më vullnet që t’i durojë trajtimet e politikave të ashpra. Edhe kriza në Greqi po vjen në një pikë vlimi. Euroja mund të mos mbijetojë. Përkundër shenjave të një rimëkëmbjeje të moderuar ekonomike në Eurozonë, dallimi mes Gjermanisë dhe shumicës së shteteve tjera të Eurozonës po zgjerohet dhe po thellohet. Nuk ka më bisedime për konvergjencë në unionin monetar dhe madje ka kohë që nuk kemi pasur një gjë të tillë. Tashmë është e qartë që nëse euroja dështon, i gjithë projekti evropian do të dështojë me të. Liderët e Evropës e dinë që euroja nuk është e qëndrueshme ndaj krizave, përkundër përmirësimeve teknike, që i janë bërë gjatë krizave të mëhershme. Përderisa nuk arrihet një kompromis i madh mes Gjermanisë dhe shteteve tjera të Eurozonës, euroja nuk do të jetë asnjëherë e qëndrueshme ndaj krizave. Në praktikë kjo gjë mund të nënkuptojë reformim të Eurozonës në baza të integrimeve më të thella politike. E njëjta vlen edhe për politikat e BE-së për sigurinë e përbashkët, mbrojtjen e kufijve të jashtëm dhe reformat për refugjatët. Edhe këtu lidershipi politik kërkon një vizion të ri për një Evropë të bashkuar në shekullin njëzetenjë në lidhje me atë se çka mund të ofrojë. Nuk ka arsye për Evropën që t’u frikësohet krizave. Nëse krizat ballafaqohen pa frikën e rreziqeve politike, ato mund të shërbejnë si një mundësi e artë për BE-në për të lëvizur përpara dhe për t’u bërë më e fuqishme. Pasi që Britania të flet në referendumin e 23 qershorit, Evropa duhet ta jep përgjigjen – me plot kurajë dhe me një vizion për zgjidhje reale. Nacionalizmi nuk është përgjigje. Vetëm evropianët e vërtetë mund ta sigurojnë një të ardhme paqësore dhe përparimtare për Evropë

Joschka Fischer ka qenë ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë në periudhën 1998-2005, periudhë kjo që është shënuar nga mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për intervenimin e NATO-s në luftën në Kosovë në vitin 1999 dhe nga kundërshtimi i hapur i luftës në Irak.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”

(Koosva Sot)