Liria e shprehjes nuk ekziston në imagjinatën e pushtetarëve

Liria e shprehjes nuk ekziston në imagjinatën e pushtetarëve
  • 05 May 2016 - 09:30

Shkruan:Skënder Mulliqi

Liria e fjalës është vetëm njëra në serinë e të drejtave universale të njeriut. Ka mendime të ndryshme rreth kësaj teme të një rëndësie të veçantë. Ne shkëputim një mendim të shkurtër të shkrimtarit të njohur Ismajl Kadare: "Krijimtaria publicistike, filozofike, letrare i ofron publikut interpretimin më të mirë të vlerave që burojnë nga mendimi i lirë dhe demokratik, sensi i progresit dhe kuraja qytetare".

Ndërsa neni 10 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, që i dedikohet lirisë së shprehjes, thuhet se çdo person ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe për të marrë dhe për të dhënë informacione ose mendime, pa ndërhyrjen e autoriteteve publike". Vlen të citohet edhe mendimi i Xhon Stjuart Milit, i cili thotë:"Liria e shprehjes na mbron nga pushteti i korruptuar dhe tirania. Kjo liri është një nga garancitë themelore për shoqëri të hapur dhe pluraliste"

Dorasit nuk u zbuluan

Shprehja e mendimit lirshëm dhe të bërit publik është ndër vlerat themelore që e dallon qartë shoqërinë demokratike. Kjo nuk po zbatohet drejtë në shumë vende të botës . Edhe në Kosovë shprehja e mendimit lirshëm nuk është e nivelit të dëshiruar. Këtë e shprehen deri më tash edhe disa raporte ndërkombëtare siç është "Freedom House", ku Kosova është radhitur në mesin e vendeve pjesërisht të lira. Në regjimet totalitare liria e fjalës është e kufizuar , e ndikuar nga pushteti autoritar. Çdo gjë që thuhet dhe vjen në kundërshtim me sistemin, e pret ndëshkimi i rëndë i pushtetit edhe më jetë. Për shkak të shprehjes së mendimit dhe fjalës lirshëm gjetën vdekjen edhe disa gazetarëve në Kosovë. U vranë Enver Maloku, Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati, Shefki Popova, Xhemajl Mustafa. Edhe disa gazetarë të tjerë u kërcënuan më vrasje. Edhe pas shumë vjetësh këto vrasje nuk e panë dritën e diellit.

Gazetarët e vrarë as në ditën e lirisë së shprehjes së lirë, nuk po i përkujton askush. Këta gazetarë të vrarë ishin përkrahësit e linjës politike të LDK-së së Ibrahim Rugovës. Rugova nuk është më në jetë, e këta që tash janë në krye të partisë, janë preukopuar pas pushtetit dhe të mirave materiale. Kjo strukturë në krye të LDK-së i përmend këta martirë të fjalës së shkruar vetëm atëherë kur janë zgjedhjet, për të fituar vota. Nuk bënë asgjë që së paku të zbulohen dorasit si ngushëllim i vetëm për familjet e të vrarëve. U bën 16 vjet pas luftës dhe nuk kemi shtet ku sundon si duhet rendi dhe ligji. Nuk kemi organe të drejtësisë ashtu siç duhen të jenë, sepse ato kontrollohen nga ata që lidhen direkt ose tërthorazi me krimin. Si të flasim për lirinë e fjalës dhe shprehjes së lirë të mendimit, kur na është instaluar një pushtet gati absolut. Kur është puna kështu, çdo gjë është e kufizuar jo vetëm fjala e lirë.

Po ngulfaten liritë personale

Me krim të organizuar dhe korrupsion nuk mund të flasim për shtet ligjor dhe demokratik. Nuk mund të flasim për liri të plotë të shtypit. Nuk ka siguri për gazetarët si kategoria më e rrezikuar që është jo vetëm në Kosovë. Kur pushteti i vë nën kontroll mediat nuk kemi pluralizëm dhe demokraci. Ngulfatja e fjalës së lirë është ngulfatje e proceseve zhvillimore.

Pushtetet e pas luftës nuk ishin të vetëdijshme me idenë së qytetari dhe e drejta e tyre duhet të ekzistojnë në hapësirat demokratike, ku ligji bëhet nga njerëzit dhe për njerëzit .Por, këto pushtete në Kosovë, duke i mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre personale, po ngulfatin keq jo vetëm fjalën e lirë, por edhe çdo vlerë tjetër shoqërore. Cenimi i lirisë së shprehjes dhe medias së lirë nuk po ekziston në imagjinatën e tyre…  

(Kosova Sot)