Pse ndodh dhuna në shkolla?

Publikuar: E mërkure 6 Qershor 2012, 22:41 0 Komente

Shkruan:

Flora HAJDARMATAJ

Raportet për dhunën në shkolla janë bërë të përditshme. Rastet e incidenteve dhe rrahjeve janë mjaft të shpeshta. Rasti i fundit është kur një 19-vjeçar, nxënës i Shkollës së Mesme "Frang Bardhi" në Mitrovicë, pësoi plagë të rënda, pasi ishte goditur me thikë nga një nxënës tjetër, brenda oborrit të shkollës. Ngjarja ndodhi pas një zënke gjatë një loje futbolli. Ndërsa, në Podujevë, dy nxënës e kishin rrahur profesorin e tyre, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Apo rasti tjetër i profesorit që ishte denoncuar nga nxënësit pasi kishte ushtruar dhunë ndaj tyre. Të gjitha këto raste tregojnë se dhuna nëpër shkolla kohëve të fundit ka shënuar rritje.

Për dhunën në shkolla si dukuri në rritje flitet gjithnjë e më shumë. Sipas një raporti të publikuar nga KEC dhe UNICEF, dhuna në shkolla ishte e përhapur në masën që kalon 40% e popullacionit të fëmijëve në Kosovës. Kjo shifër tregon se mjediset shkollore ende janë të dhunshme dhe si të tilla në masë të konsiderueshme ndikojnë në efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të arsimit në Kosovë. Sipas këtij hulumtimi del se dhuna ndërmjet nxënësve është më e përhapura. Por, cilët janë shkaktarët e vërtetë të dhunës?

Ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e dhunës nëpër shkolla. Prej faktorëve kryesorë është mungesa e sigurimit fizik të objekteve shkollore, që do të mundësonte kontrollin në shkollë. Mungesa e sigurimit në përgjithësi, duke përfshirë personat përgjegjës, kamerat në shkollë apo edhe kontakti më i shpeshtë i shkollës me shërbimin policor, janë prej elementeve kyçe që ndikojnë në mosefikasitetin për ta parandaluar dhunën në shkollë.

Një tjetër faktor, është mungesa e edukatës. Përderisa, arsimtarët këshillojë që të mos veprohet dhunshëm, ka të tillë që vetë janë praktikues të saj. E kemi rastin e pirjes së duhanit. Derisa, profesori këshillon për mospirjen e duhanit, ai në prani të nxënësve vet e konsumon, prandaj ai në këtë mënyrë nuk mund të ndikojnë tek nxënësit me këshillat e tij. Kjo ndodh shpesh edhe për gjëra të tjera, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në edukimin dhe formimin e nxënësit. Arsimtarëve u mungon edhe aspekti pedagogjik, që nuk interesohen të kontaktojnë me nxënës edhe jashtë orës mësimore.

Në anën tjetër, edhe mosinteresimi i prindërve po ndikon që të ketë dhunë nëpër shkolla. Prindërit për fëmijët e tyre interesohen vetëm atëherë kur ftohen nga arsimtari për ndonjë problem të shkaktuar apo edhe për nota. Mungesa e kujdesit familjar bën që nxënësit të ndihen pa mbështetje. Pastaj, ndodh që ata mbështetjen ta gjejnë në shoqëri, por që rezulton të jetë e keqe.

Shkaktar tjetër është edhe mungesa e kujdesit institucional, siç është lejimi nga ana e komunës e disa bizneseve që të zhvillohen pranë objekteve shkollore. Kazinotë e ndryshme apo lojërat e fatit janë ato që prodhojnë probleme. Dhe lejimi i tyre pranë objekteve shkollore ndikon që edhe nxënësit të bëhen pjesë e këtyre problemeve. Po ashtu, ato probleme reflektohen edhe në objektet shkollore. Sipas raportit të KEC dhe UNICEF, alarmante është edhe përhapja e dukurive tjera negative. Ajo që është shqetësuese, është se droga ka arritur gati në të gjitha shkollat dhe në të gjitha qytetet e Kosovës.

Megjithëkëtë, institucionet arsimore vazhdimisht investojnë në arsimim, duke pasur parasysh vlerën e tij. Investojnë në infrastrukturë, në ambiente, në staf akademik, në pajisjen me laboratorët, në pajisje teknologjike apo edhe vendosjen e sistemeve të ndryshme. Por, çfarë vlere kanë të gjitha këto investime, kur mungon elementarja, edukimi?

Në fakt, nëse në njërën anë institucionet arsimore nuk shndërrohen në institucion edukativo-arsimor, duke arsimuar dhe duke edukuar, dhe, në anën tjetër, prindi dhe arsimtari që konsiderohet si prind i dytë, nuk angazhohen më shumë, shkollat do të vazhdojnë të jenë vende ku mund të shfaqet dhuna.

Pra, përderisa të mos funksionojë trekëndëshi institucion-prind-arsimtar, dhuna në shkolla vështirë të ndalet, apo të zvogëlohet.

Printo Dërgo
  • di

Komente


Opinionet e fundit

arkivi i lajmeve