Është vonë që të fshihemi nga alienët

  • 23 May 2016 - 22:22
Është vonë që të fshihemi nga alienët

Nëse ekziston një civilizim i avancuar alien, ata tashmë e dinë që ne ekzistojmë. Kjo sipas një grupi të hulumtuesve që pohojnë se duhet të jemi më të kujdesshëm në lidhje me mesazhet që dërgojmë. Douglas Vakoch, president i 'Meti (Messaging Extraterrestrial Intelligence) International', thotë se sinjalet e tanishme për jashtëtokësorët janë tepër të thjeshta. "Është vonë që ta fshehim veten në univers, kështu që duhet të vendosim si dëshirojmë që ta prezantojmë veten", ka thënë Vakoch për 'Forbes'. "Jashtëtokësorët mund të jenë duke pritur për një indikacion të qartë nga ne, se jemi të gatshëm për t'i nisur bisedimet", ka shtuar ai,transmeton gazeta Kosova Sot Online

Udhëzues për dekodimin e mesazheve nga alienët

Ekipi i tij në 'Meti Internacional' ka nisur një projekt për zhvillimin e mesazheve për alienët, të cilat janë edhe informative edhe provokuese. Ata planifikojnë që ta dërgojnë radio transmetimin e parë në fund të vitit 2018, me theks në mesazhe që zbulojnë koncepte bazike matematikore dhe shkencore. "Do të ishte ideale të përdorej një transmetues i fuqishëm si ata që përdoren për studime planetare me radar", ka thënë Vakoch. Tashmë janë dërguar disa sinjale të tilla, e ndoshta më i famshmi është ai i dërguar nga radio-teleskopi 'Arecibo' në vitin 1974. Shifrat e tij binare zbulojnë hollësi për sistemin tonë diellor, qenien njerëzore dhe biokiminë e Tokës. Vakoch thotë se duhet ta përfshijmë edhe një udhëzues në mënyrë që alienët t'i dekodojnë më lehtë mesazhet. "Ekzistojnë shumë supozime të fshehura në mënyrat se si i portretizojmë objektet tredimensionale në sipërfaqe dydimensionale", ka thënë Vakoch. "Edhe nëse alienët përdorin fotografi, ata mund të përdorin mënyra të tjera për të vendosur objekte të forta në sipërfaqe të rrafshëta", ka shtuar ai. Gjatë intervistës së tij me 'Forbes', ai gjithashtu tha se mesazhet duhet të jenë shumë më të hollësishme. Për shembull, në vend të dërgimit të pak informatave për biokiminë, duhet të dërgohet tabela periodike e elementeve. 

Jashtëtokësorët mund të jenë relativisht miqësorë

Disa shkencëtarë, megjithatë, besojnë se nuk duhet t'i kontaktojmë fare alienët, pasi ata mund të jenë armiqësorë. Në shkurt, një shkencëtar i njohur i përfshirë në 'Seti' (Search for Extraterrestrial Intelligence) tha se nëse alienët e vizitojnë planetin tonë, ata mund t'i marrin gjërat nën kontroll falë përdorimit të teknologjive superiore. Astronomja dhe themeluesja e institutit 'Seti', Jill Tarter, ka thënë: Nëse vijnë kjo do të thotë se ata kanë teknologji shumë më të avancuar në krahasim me teknologjinë tonë.

E për shkak të kësaj, ata do të jenë në gjendje që t'i vendosin rregullat". Megjithatë, ajo sqaroi se një specie mund të zhvillojë teknologji të sofistikuar, si ajo për të udhëtuar në distanca të gjata në hapësirë, vetëm nëse ka mësuar që të sillet në mënyrë paqësore. Kjo sugjeron se jashtëtokë- sorët mund të jenë relativisht miqësorë dhe bashkëpunues, që është një lajm i mirë nëse pushtohet Toka. 'Seti' është duke kërkuar për radiovalë dhe sinjale optike në univers të cilat mund të jenë shenja të teknologjisë jashtë- tokësore, por Tarter ka thënë: "Ndoshta ende nuk e kemi zbuluar mënyrën e duhur për ta bërë një gjë të tillë". Shkencëtarja e 'Nasa'-s, Ellen Stofan, para pak kohësh ka thënë se mund të gjejmë dëshmi të jetës jashtëtokësore pas 20-30 vjetëve. "Dimë ku të kërkojmë, si të kërkojmë, dhe në shumicën e rasteve e kemi teknologjinë", ka thënë ajo.

(Kosova Sot)