Policët rrëfejnë përvojat e tyre më të frikshme

  • 26 May 2016 - 22:00
Policët rrëfejnë përvojat e tyre më të frikshme

Të jesh polic, dmth të kesh punë me turli njeriu dhe jo vetëm. Jua sjellim disa nga rrëfimet më të frikshme të përditshmërisë policore,transmeton gazeta Kosova Sot.

1. Drejtësia nga varri

Ja çka tregon një polic: Ishte viti im i dytë si polic i Oregonit. Derisa isha në veturën e policisë me kolegun tim, morëm njoftimin se është parë një njeri sesi ia mban një gruaje revolen në kokë, prandaj menjëherë shkuam te vendi ku ishte parë një skenë e tillë. Kur arritëm, gjetëm një grua që qante dhe vazhdimisht përsëriste: "Ai më vrau, ai më vrau...". Ne i treguam se nuk e kishte vrarë kush, por ajo vazhdonte me të tijën. E pyetëm se a kishte ndonjë familjar aty afër, ku do të mund të shkonte, sa për ta kaluar natën, e ajo tha se jo. Ajo nuk na lejonte që ta dërgonim diku, prandaj pas pak e pyetëm se a do të ishte OK nëse do të largoheshim ne. Ajo tha po dhe, meqë njeriu me revole nuk dukej gjëkundi, ne u larguam. Me të mbaruar ndërrimin, shkuam në stacionin policor dhe i informuam kolegët tanë rreth kësaj ngjarjeje. Njëri nga ta filloi kërkimet dhe erdhi me një lajm të pabesueshëm: gruaja në fjalë rezultonte të ishte vrarë gjashtë vjet më parë nga burri i saj, ku vrasësi kurrë nuk ishte zënë. Të tmerruar nga ajo që dëgjuam, vendosëm që të vazhdonim me punën, pa e bërë të madhe atë që na kishte ndodhur.

2. Policja misterioze 

Një polic tjetër rrëfen: Një ditë e ndala një njeri i cili voziste tepër shpejt. Derisa i afrohesha veturës së tij, pata një ndjenjë të çuditshme, prandaj u ktheva te vetura ime, ku papritmas pashë një police. Unë nuk kisha kërkuar përforcim, prandaj u habita. Aq më tepër, nuk shihja asnjë veturë tjetër të policisë, prandaj nuk e dija nga kishte pikur ajo kolege. Qeni i policisë, që ishte me mua, filloi të lehte ndaj polices dhe të zmbrapsej nga ajo. Pasi e përshëndeta, ajo më tha se, njeriu që e kisha ndalur ka një revole nën ulësen e veturës. Pasi e shikova veturën e njeriut, kur u ktheva prapa, policja ishte zhdukur. Shkova dhe e arrestova njeriun. Kur shikova nën ulësen e veturës së tij, me të vërtetë gjeta një revole. Kur e dërgova në stacion, mora vesh se ai njeri, 20 vjet më parë kishte vrarë një police. Më vonë, gjatë asaj mbrëmjeje, m'u paraqit sërish policja misterioze dhe më tha: "Faleminderit"!. "Jo", i thashë, "faleminderit ty, që ma shpëtove jetën". Ajo më shikoi dhe më tha: "Unë vetëm e kreva detyrën time. Ai do të të vriste ty me të njëjtën revole me të cilën më vrau mua dikur. Ti më solle paqen dhe lumturinë". Më pas, ajo u zhduk. 

3. Vajza fantazmë 

Rrëfimi i policit të tretë është edhe më i frikshëm: Një ditë mora një thirrje telefonike nga një plakë, e cila ankohej se në oborrin e shtëpisë së saj vraponte një vajzë adoleshente. Plaka kishte frikë nga vjedhja, por edhe nga diçka më e keqe. Rrugës për te shtëpia e plakës, ia lëshoi një shi si sixhim. Kur mbërrita te shtëpia e plakës, tanimë kishte rënë terri. Shikova në oborr, ku plaka e kishte parë vajzën, por nuk pashë gjë. Kur u ktheva brenda, plaka e tmerruar më tha se vajza tani kishte hyrë brenda në shtëpi. Kur shikova, pashë një vajzë të re, rreth 13- vjeçare, duke vrapuar nga njëri skaj i shtëpisë te skaji tjetër. Shkova në drejtim të saj dhe i thashë të ndalej, por papritmas ajo u zhduk. Nuk mund t'u besoja syve. Plaka më pas thirri me të madhe: "Ajo ka dalë sërish përjashta". Kur shikova përjashta, ajo ishte aty, duke vrapuar në oborr. Të gjitha dyert ishin të mbyllura. Si ia kishte dalë ajo të ikte? Kur dola jashtë, ajo menjëherë u zhduk. Pas gjashtë muajve mora vesh se plaka në fjalë kishte vdekur dhe në shtëpinë e saj ishte vendosur një familje. Kjo familje një ditë thirri në polici, duke u ankuar për "një vajzë që po lodron nëpër oborr". Vendosa që ta injoroja këtë thirrje, në mënyrë që atje të shkonte ndonjë polic tjetër. 

(Kosova Sot)