A mund të fotografohet shpirti duke dalë nga trupi i njeriut?

  • 25 July 2016 - 22:07
A mund të fotografohet shpirti duke dalë nga trupi i njeriut?

Vetë ekzistenca e shpirtit përbën një temë të nxehtë debati, megjithatë, disa njerëz kanë shkuar një hap më larg duke pretenduar që kanë fotografuar procesin e shkëputjes së shpirtit nga trupi i njeriut, transmeton gazeta Kosova Sot.

Kamerat e celularëve të mençur ua kanë mundësuar njerëzve që të nxjerrin fotografi vazhdimisht, çdo ditë! Për këtë arsye, interneti - në veçanti rrjetet sociale - kanë shpërthyer me fotografi, që kanë bërë xhiron e tyre. Para më pak se 15 vjetësh, fotografitë e tilla do të nxirreshin, do të zhvilloheshin e do të printoheshin, para se të shikoheshin nga rrethi i ngushtë familjar, shoqëria apo edhe disa njerëz të zgjedhur. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk do të mund të shikoheshin nga miliona njerëz, nëpër vende të ndryshme të botës. Duke e shfrytëzuar këtë përparësi të ofruar nga teknologjia, shoferi i kamionit, Saul Vazquez, e kishte fotografuar një aksident, që kishte ndodhur në Kentaki të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fotografinë e kishte postuar menjëherë në 'Facebook'. "Afrojeni dhe fokusohuni në mes dy ambulancave. Thjesht, shpresoj që gjithçka është në rregull me njerëzit, të cilët kanë qenë të përfshirë në të", kishte shkruar Vazquez në 'Facebook'.

'Mjegulla' mbi trupin e të aksidentuarit 

Sipas ueb-faqes '6abc.com', një motoçiklist, i cili ishte përfshirë në këtë aksident, kishte vdekur më vonë në spital, mirëpo duket se shumë njerëz besojnë që në fotografinë e nxjerrë nga Vazquez-it shihet shpirti i burrit, duke dalë nga trupi. Që prej momentit kur fotografia është postuar në rrjetet sociale, ajo është shpërndarë me dhjetëra-mijëra herë dhe ka marrë komente nga më të ndryshmet. "Zoti e bekoftë shpirtin e tij. Shpresoj që shpirti i tij të prehet në paqe", ka qenë njëri prej komenteve. Fotografia duket se zbulon një formë të bardhë në formë të siluetës, që qëndron mbi trupin e një personi. I lënduari është i rrethuar nga një grumbull njerëzish dhe disa vetura të kalimtarëve, të cilët ishin ndalur nga kureshtja. Në fakt, gjithçka duket si një aksident i zakonshëm, përveç mjegullës mbi trupin e këtij personi. 

Energjia e lidhur me shpirtin

Kjo, megjithatë, nuk është fotografia e parë e këtij lloji që është shpërndarë në internet. Në një aksident me veturë në vitin 1984, djaloshi i ulur në ulësen e përparme të pasagjerit nuk e kishte vendosur rripin e sigurisë, andaj edhe kishte vdekur në vendin e ngjarjes, si pasojë e lëndimeve të marra. Pasi autoritetet kishin mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ishte konstatuar që djaloshi kishte vdekur, ata kishin filluar të nxirrnin fotografi në vendin e ngjarjes. Më vonë, fotografitë ishin dërguar për t'u zhvilluar e për t'u printuar në një laborator policor, ku edhe ishte vërejtur që në disa prej fotografive kishte elemente të pashpjegueshme.

Mbi veturë shihet një figurë, e ngjashme me fytyrën e djaloshit, me gojë të hapur, që krijon përshtypjen që është duke bërtitur. Në bazë të disa shpjegimeve, figura e djaloshit, që duket se thërret më të madhe 'Jo', është energjia që besohet të jetë e lidhur me shpirtin. Këta janë vetëm dy shembuj nga një numër i madh rastesh kur janë fotografuar momentet e pashpjegueshme, që, për shumëkënd, janë rastet kur është kapur momenti kritik i daljes së shpirtit nga trupi. Në internet, madje, qarkullon edhe një video shqetësuese në të cilën shihet procesi i ngordhjes së një miu dhe disa sekonda pasi ai ndalon së lëvizuri, nga trupi i tij del një tufë e bardhë, në formë mjegulle.  

(Kosova Sot)