Shtëpia e re e një familje është terrorizuar nga një qenie misterioze

  • 03 July 2015 - 14:42
Shtëpia e re e një familje është terrorizuar nga një qenie misterioze

Si mund ta vëreni që një shtëpi është pushtuar? Një shtëpi e vjetër me dhoma të errëta dhe me çati të hapur në disa pjesë është vendi ideal që fantazmat të shfaqen. Mirëpo, çka nëse shtëpia është e re? Një shtëpi e re, e pastër dhe e mobiluar me mobile të reja, nuk tingëllon si një vend i përshtatshëm për shfaqjen e fantazmave, megjithatë ka shumë njerëz të cilët kanë raportuar për shfaqje të fantazmave në shtëpitë e tyre, ndonëse ato kanë qenë të reja. Në mesin e tyre është edhe Sherry P., e cila ndonëse jeton në shtëpi të re disa herë është bezdisur nga prania e fantazmave. Ky është tregimi i saj ...

Për 18 vjet kam punuar më shumë se 70 orë në javë dhe kam kursyer çdo cent, të njëjtën gjë e ka bërë edhe burri im, për ta arritur më në fund atë që kemi dëshiruar, shtëpinë tonë të ëndrrave! Patëm ndërtuar një shtëpi moderne në një hapësirë që ishte më e madhe se 120 ari në Adison, Alabama. Adison shtrihet në vendin historik të njohur si Uinston, i cili ka qenë i njohur historikisht për rezistencën e tij pasi që gjatë Luftës Civile ai ishte deklaruar si ‘shteti i lirë ‘Uinston’’.

Ndërtimi i shtëpisë sonë pati përfunduar më 7 dhjetor të vitit 1995. Çdo gjë ishte e përkryer derisa vajza ynë 13-vjeçare kishte filluar të ankohej se dikush po paraqitej në pasqyrën, e cila gjendej në dhomën e saj, dhomë e cila ishte në katin e dytë të shtëpisë, larg nga dhoma jonë, që gjendej në katin e parë.

Shqetësimet e vajzës

Në fillim ne mendonim që ishte thjesht frika e vajzës ajo që kishte ndikuar që asaj t’i parafytyroheshin gjëra të tilla, mirëpo me kalimin e kohës në shtëpi filluan të ndodhin gjëra të çuditshme. Dyert hapeshin dhe mbylleshin vetë, ndërsa edhe televizioni dhe pajisjet e tjera elektrike ndizeshin dhe fikeshin pa i prekur askush.

Dyshimet për praninë e fantazmave

Pas disa vjetësh, kur vajza jonë ishte rritur dhe kishte shkuar për studime, një natë teksa ne ishim kthyer në shtëpi pas një darke me miqtë dhe ishim duke pirë kafe, u dëgjua një zë i çuditshëm nga lart, i cili u përcjellë nga një zhurmë e makinës, mirëpo nuk u pa asnjë dritë. E dërguam vajzën e vogël (vajzën tonë të dytë) për të fjetur në dhomën e saj, mirëpo ajo assesi të bindej të qëndronte aty. Ajo madje preferonte të qëndronte në ndonjë skaj të parehatshëm të shtëpisë vetëm që të mos flinte në dhomën e saj. Pasi që vajza ime nuk rehatohej assesi, unë vendosa që të fle me të dhe pikërisht ky është momenti kur unë e kam kuptuar shqetësimin e vajzave të mija. Në dhomën e tyre dëgjoheshin zhurma të ndryshme që fillonin me ecjen e një njeriu të padukshëm dhe përfundonin me zëra misteriozë, të cilët nuk e kisha idenë se nga vinin. 

Shfaqja e një burri misterioz

Pasi që kishin kaluar edhe disa vite të tjera dhe Brooke (vajza ime e madhe) kishte përfunduar studimet, ajo kishte ardhur për vizitë së bashku me vajzën e saj, Taylor-in dyvjeçare. Pak kohë pasi ato u vendosën në shtëpi, lodrat elektrike të Taylor-it ndizeshin dhe fikeshin vetë, këto ngjarje ishin vetëm një konfirmim më tepër se diçka nuk ishte në rregull me shtëpinë tonë të ëndrrave. Një natë Taylor qëndroi me mua gjatë teksa unë punoja dhe kur e përfundova punën për atë mbrëmje e dërgova atë lart në shtratin e nënës së saj. Pas disa minutash u dëgjuan britmat e mëdha të vajzës së vogël dhe të nesërmen në mëngjes Taylor tregoi që kishte parë një burrë në shkallët e shtëpisë, i cili e kishte puthur në faqe dhe i kishte thënë që e do shumë! 

Pastrimi i shtëpisë nga fantazmat

Pasi që njeriu misterioz ishte shfaqur edhe disa herë të tjera unë pata vendosur që të kërkoj ndihmë andaj kisha thirrur një prift lokal, i cili më t’u futur në shtëpi kishte thënë që po e ndiente atmosferën e keqe. Ai e kishte pastruar shtëpinë nga shpirti i lig, mirëpo ndryshimi nuk ishte afatgjatë, andaj më është dashur që ta thirri priftin edhe disa herë të tjera për ta spastruar shtëpinë. 

Fantazma vazhdon të shfaqet

Pas ardhjeve të shpeshta të priftit, prania e fantazmës po manifestohet në mënyra të tjera tash. Një natë, teksa unë dhe bashkëshorti im po flinim, u dëgjua një melodi pianoje dhe dukej sikur dikush kishte prekur vetëm një herë pianon tonë. Tanimë janë bërë katër vjet që prej kur fantazma shfaqet më tepër gjatë ditës, si duket ajo është trimëruar dhe do të vazhdojë të na bezdisë edhe gjatë ditës.

(Kosova Sot)