Magjia e zezë ekziston: Ngjarje e vërtetë

  • 11 January 2017 - 12:31
 Magjia e zezë ekziston: Ngjarje e vërtetë

Rrëfimi i një djaloshi indian Familja ime është e edukuar, andaj ne nuk kemi besuar kurrë në magji të zezë apo diçka të ngjashme, derisa jemi prekur vetë nga magjia e zezë. Më poshtë do ta rrëfej ngjarjen, që i kishte ndodhur familjes sime në periudhën 1992-1995 Në vitin 1992 kishim blerë një pronë për ta ndërtuar shtëpinë, mirëpo, kur punët e ndërtimit kishin filluar, për vizitë kishte ardhur një person i quajtur “Munsi Ram”, i cili i kishte thënë nënës sime që ne kishim bërë gabim që kishim blerë pronën, pasi që ai kishte planifikuar që atë pronë ta blejë për të birin e tij. Në atë kohë, nëna ime i kishte thënë me butësi: ‘Në rregull, na e paguaj vlerën, të cilën ne e kemi paguar për pronën dhe ne do të largohemi’, mirëpo, ai nuk kishte pranuar duke thënë që tanimë ishte bërë vonë.

Rënia e gurëve

Në vitin 1993, në një mëngjes të hershëm të së hënës, rreth orës 01:00, unë pata dëgjuar disa gurë që kishin rënë në pronën tonë. Meqë gurët, pesë sosh, kishin rënë të gjithë së bashku, nuk e kishim të vështirë ta identifikojmë se nga ku kishin ardhur. Ishte fqinji ynë, Dinesh-i, mik i Munsi Ram-it, ai që kishte bërë një veprim të tillë. Të habitur nga kjo situatë ne e patëm dërguar rastin në polici dhe si rrjedhojë Dinesh-i kishte qëndruar për disa ditë në stacionin policor, mirëpo shumë shpejt kishte arritur të lirohej. Babai im ka qenë personi i vetëm që i kishte prekur gurët, ndërsa ditën e diel, të po së njëjtës javë, rreth orës 03:00 në mëngjes, ai kishte filluar të ketë dhimbje të tmerrshme në stomak dhe si pasojë ne e kishim dërguar në spital. Në pamundësi për ta identifikuar problemin, doktorët i kishin dhënë ilaçe për qetësimin e dhimbjeve, andaj babai për disa ditë kishte vazhduar vetëm me ilaçe, përkundër faktit që kishte dhimbje të papërshkrueshme. Disa ditë më vonë, dhimbjet ishin bërë aq të padurueshme, saqë ne e kishim dërguar në një spital privat, ku kishin konstatuar që fshikëza e tëmthit nuk po funksiononte, andaj babai ishte i detyruar t’i nënshtrohej operacionit. Megjithatë, babai im kishte vazhduar me ilaçe, duke mos pranuar që t’i nënshtrohej operacionit, ndonëse çdo gjë që hante e pinte detyrohej ta vjellë.

Këshilla e ekspertit

Kjo situatë kishte vazhduar të mbretërojë në familjen tonë deri kur për vizitë kishte ardhur një i afërm i familjes dhe, pasi kishte dëgjuar të gjithë rrëfimin, na pati propozuar të kontaktojmë me një person të quajtur Ashok. Ky i fundit, me ta parë babanë, kishte konstatuar që dikush i ka bërë magji dhe, nëse nuk ndërmerrej diçka, ai do të vdiste në ditën e dyzetë prej fillimit të magjisë. Ashok-u kishte kërkuar të blihen disa gjëra që i nevojiteshin për ritual, në mesin e të cilave një gjel i gjallë dhe ca liker. Ai ishte futur në një dhomë me babanë, ndërsa unë dhe vëllai im më i madh, Pankaj-i, qëndronim pranë tij pa bërë zhurmë, pasi që vetë Ashok-u kishte kërkuar qetësi absolute. Pas ritualit që kishte zgjatur rreth 40 minuta, Ashok-u kishte prerë gjelin mbi kokën e babait dhe kishte thënë që nga tash e tutje babai është i çliruar nga magjia dhe brenda një kohe të shkurtër, kur organet e tij ta merrnin vetën, ai do të shërohej plotësisht. Vdekja e papritur Pikërisht kjo gjë ka ndodhur, brenda një jave babai kishte filluar të ushqehej si zakonisht dhe nuk kishte më dhimbje në stomak. Megjithatë, ndonëse ne e shpëtuam babanë, ne nuk arritëm ta ndalim vdekjen e Pankaj-it. Ai kishte vdekur në një aksident, dyzet ditë pasi që e kishte parë në ëndërr atë aksident. Është e çuditshme që të gjithë në familje e kemi parë një ëndërr të ngjashme, megjithatë asnjëri nuk kemi arritur të bisedojmë rreth saj! Pak kohë pas vdekjes së vëllait, ne e kemi shitur shtëpinë bashkë me pronën, për t’u zhvendosur nga ai vend. Magjia e zezë ekziston ende. Bashkëfshatarët e Munsi Ram-it tani janë në dijeni të tij dhe ndonëse të gjithë e dinë se çka është në gjendje të bëjë ai, askush nuk mund ta dokumentojë një gjë të tillë. Jetojmë në botën e shkencës dhe askush nuk i përfill besëtytnitë.

(Kosova Sot)