Zbulimi që publikohet të hënën, jep informatat e para për ‘lindjen’ e Universit

  • 23 February 2017 - 14:29
Zbulimi që publikohet të hënën, jep informatat e para për ‘lindjen’ e Universit

Pritet që astronomët të publikojnë zbulimin e tyre më të ri për valët gravitacionale, të cilat besohet të jenë jehonë e ‘shpërthimit të madh’, i cili kishte shkaktuar krijimin e Universit para më shumë së 14 miliardë viteve. Zbulimi i përshkruar si ‘mesazhi nga agimi i kohës’, nëse konfirmohet si i vërtetë, do të jetë një ndër zbulimet më të rëndësishme në epokën e fizikës moderne, pasi që pritet të japë provat e para për mënyrën e krijimit të Universit.,raporton Gazeta Kosova Sot

Valët gravitacionale, të cilat për herë të parë janë përmendur, mirëpo nuk janë vërtetuar nga Albert Einstein-i në Teorinë e Relativitetit, janë valë të vogla në Univers, që bartin energji përreth hapësirës. Besohet që sinjalet janë kapur nga teleskopi i specializuar i quajtur ‘Bicep’ në Polin Jugor. Ky teleskop skanon qiellin në frekuenca të mikrovalëve dhe kap energjinë e ‘shpërthimit të madh’. Ekipi i shkencëtarëve ka thënë që do të bëjnë publike një zbulim të madh në fushën e astrofizikës, të hënën më 17 mars, gjatë një prezantimi, që do të mbahet në Qendrën e Astrofizikës në Universitetin e Harvardit. Sipas kësaj teorie, këto valë gravitacionale do të na tregojnë për momentin e parë në historinë e Universit. Kozmologët besojnë që 10-34 sekonda pas ‘shpërthimit të madh’ Universi ishte zgjeruar në masë të madhe. Megjithatë, astronomët kurrë nuk kanë qenë në gjendje të shpjegojnë pse ka ndodhur një zgjerim i tillë.

Ekspertët thonë që provat e gjetura për zbulimin e tyre të ri mund të ndikojnë që ata të fitojnë çmimin ‘Nobel’. ‘Nëse ata e shpallin këtë zbulim të hënën, do të jetë diçka që duhet besuar, pasi që janë bërë hulumtime të shumta në këtë aspekt’, ka thënë një kozmolog nga Londra për gazetën prestigjioze ‘The Guardian’. Megjithatë, Qendra e Astrofizikës nuk kanë dashur të spekulojnë, andaj ata kanë thënë vetëm që do të mbajnë një konferencë për shtyp, të hënën më 17 mars, në orën 12:00, ku do të publikojnë një zbulim shumë të rëndësishëm që kanë bërë. Kjo qendër e astrofizikës është e përbërë nga kuadro që punojnë në Universitetin e Harvardit dhe në ‘Qendrën e Observimeve Astrofizike Smithsonian’. Shkencëtarët që kanë punuar në këtë hulumtim besojnë që ky zbulim do të ndryshonte mënyrën e perceptimit të Universit. 

(Kosova Sot)