NASA njofton: Zbulohen 219 planetë të tjerë

  • 20 June 2017 - 09:00
NASA njofton: Zbulohen 219 planetë të tjerë

NASA njoftoi zbulimin e 219 planetëve të tjerë të mundshëm jashtë sistemit tonë diellor, 10 prej të cilëve me përmasat e Tokës dhe të pozicionuar në zonën e banueshme, domethënë në distancën e duhur nga ylli mëmë për të pasur ujë të lëngshëm në sipërfaqe.

Me të dhënat e reja të grumbulluara nga teleskopi hapësinor “Kepler”, numri i “botëve të mundshme aliene” shkon në 4034, ku 2335 janë konfirmuar si planetë e mbi 30 janë të mëdhenj sa Toka.

Sipas Suasan Thomson, shkencëtare e NASA-s, katalogu përfaqëson pikën e nisjes për t’iu përgjigjur një prej pyetjeve më interesante të astronomisë; Sa janë planetët e ngjashëm me Tokën në galaktikën tonë? Gjithashtu falë të dhënave të grumbulluara nga “Kepler” është bërë e mundur matja e sakte e mijëra planetëve duke zbuluar dy tipologji kryesore mes atyre më të vegjëlve; ata me përbërje shkëmbore me madhësinë e Tokës, e ata që përbehen nga gazi me përmasa më të vogla se Neptuni.

Zbulimi i këtyre dy tipologjive është i rëndësishëm për kërkimet në gjetjen e formave të jetës, pasi tregon se gati gjysma e planetëve të njohur të galaktikës nuk kanë sipërfaqe, ose e fshehin atë pas një atmosfere shkatërruese, domethënë jo të përshtatshme për jetën.

 (Kosova Sot)