Tregimi më i famshëm për fantazmat

  • 17 July 2017 - 14:36
Tregimi më i famshëm për fantazmat

Instituti i Hulumtimeve Fizike’ në Londër është instituti më i vjetër i këtij lloji në botë, ndërsa tregimi më e mirë i fantazmave nga të gjitha tregimet që gjenden në këtë institut është ai i fantazmave në Çeltenham. 

Në prill të vitit 1882, kapiteni Despard ishte vendosur në shtëpinë e re në Çaltenham të Anglisë bashkë më gruan e tij invalide dhe gjashtë fëmijët e tyre. Shtëpia kishte qëndruar e pabanuar për vite të tëra the thuhej se ishte e pushtuar nga fantazmat, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ishte muaji qershor kur Rose, vajza e kapitenit, e kishte parë për herë të parë fantazmën. “Ishte një figurë e një femre të gjatë, e veshur në rrobe të zeza, të bëra nga materiali i leshtë ... Ajo e mbulonte fytyrën e saj me një faculetë, të cilën e mbante me dorën e djathtë dhe pasi shikova mirë arrita ta shoh pjesën e majtë të ballit të saj dhe një pjesë të flokëve. Dora e saj e majtë ishte e mbuluar nga rrobat, mirëpo më vonë unë arrita të shoh se të dyja duart e saj ishin me pranga, gjë kjo që tërhoqi vëmendjen time...”

Të gjithë 17 personat që e kanë parë fantazmën, ku përfshihen familjarët dhe miqtë e tyre, thonë se fantazma dukej aq e gjallë sa shpesh mendonin se është me të vërtetë njeri. Ata e kishin parë figurën e kësaj femre nga të gjitha perspektivat, mirëpo çdoherë kishte të njëjtin qëndrim. Ajo gjithmonë e përcillte të njëjtën rutinë: zbriste shkallët për t’u futur në dhomën e pritjes ku qëndronte për një kohë prapa divanit dhe më pas ngrihej dhe përmes korridorit arrinte të dilte jashtë prej ku edhe zhdukej.

Rose ka tentuar të bisedojë me të disa herë dhe herën e parë ishte dukur se ajo do të fillonte të fliste, mirëpo me të hapur gojën ishte nisur në drejtim të derës. Ajo kurrë nuk është shfaqur kur familjarët kanë kërkuar një gjë të tillë dhe disa nga ta nuk kishin mundësi ta shihnin, ndonëse e kishin përballë. Ata që nuk mund ta shihnin mund t’i dëgjonin hapat e saj të lehtë.

Rose ka tentuar disa herë që ta fotografojë fantazmën, madje disa herë ka tentuar që ta kapë atë, mirëpo, ndonëse u kishte thënë të gjithë familjarëve që t’i bashkojnë duart dhe ta kapin, ajo megjithatë kishte arritur qe të largohet përmes një zbrazëtire. Pushtimi ka qenë më i fuqishëm prej vitit 1884 deri më 1886, prej kur situata në shtëpi është qetësuar dhe paraqitjet e fantazmës kanë qenë më të rralla,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ky rast është bërë kaq i famshëm, pasi që është rasti më i evidentuar dhe rasti i vetëm kur njerëzit kanë tentuar që ta kapin fantazmën. Fantazma besohet të jetë e Imogen Swinhoe-s, e cila ka jetuar dhjetë vjet pa lumturi në atë shtëpi prej ku është larguar së bashku me bashkëshortin e saj pak kohë para se ai të vdiste.

Besohej që fantazma nuk është shfaqur më pas vitit 1899, derisa një femër kishte raportuar se e kishte parë atë në vitin 1903. Pas disa vjetësh objekti ishte shndërruar në një konvikt meshkujsh dhe kishte pasur raportime të shumta nga ta për shfaqjen e një femre që qëndronte në shkallë, në korridor dhe në oborrin e objektit dhe për shkak të këtyre shqetësimeve shtëpia ishte mbyllur edhe një herë.

Një punonjës i institutit ka marrë disa raporte nga tre njerëz, të cilët banojnë në afërsi të shtëpisë dhe ata thonë se fantazma është dukur përsëri në vitin 1958 dhe në vitin 1961. Pikërisht i njëjti punonjës i institutit vazhdon të pranojë ankesa nga banorët lokalë për zëra të çuditshëm që dëgjohen në atë zonë, mirëpo fantazma për herë të fundit është parë në vitin 1974.

(Kosova Sot)