Aplikacioni që ju “bashkon” me familjarët e vdekur

  • 28 July 2015 - 22:47
Aplikacioni që ju “bashkon” me  familjarët e vdekur

Pothuajse të gjithë njerëzit shpresojnë të ribashkohen me miqtë dhe familjarët e vdekur. Tani, një aplikacion, i quajtur “Project Elysium”, pretendon se mund ta bëjë një gjë të tillë, nëpërmjet krijimit të një eksperience të personalizuar të jetës së përtejme. Kjo teknologji, që ende është në zhvillim, do të mund të ishte një hap drejt ngarkimit të memorieve dhe personaliteteve në kompjuterë, duke ua lejuar njerëzve që të jetojnë në realitetin virtual.

Shumë punë për t’u bërë

Gjithsesi, krijuesit e këtij aplikacioni ende do të duhet të punojnë për ta zbuluar saktësisht se si funksionon kjo teknologji. Gjërat e pakta që dihen për momentin janë nxjerrë nga llogaritë e projektuesve në rrjetin social “Twitter”, ku mund të shihet një person i transformuar në model tredimensional.

 “Modelimi i mikut dhe partnerit të biznesit, Nick-ut, në ‘Project Elysium’. Nick-u do të jetë modeli ynë i parë”, ka shkruar krijuesi i aplikacionit.

Dr. Albert Rizzo, drejtor i këtij projekti në Kaliforninë Jugore, ka thënë që ai beson se përdoruesit potencialë të këtij aplikacioni do të duhet t’i dërgojnë fotografitë dhe videot e të vdekurve të tyre. Mirëpo, kompania do të ketë nevojë edhe për të dhëna tjera, për të qenë në gjendje që ta krijojnë personalitetin dhe lëvizjet e personit të vdekur.

Të dhënat e detajuara

“Nëse do ta kisha një sëmundje të pashërueshme, atëherë më shumë gjasë do ta bëja një skanim, për ta pasur një kopje digjitale”, ka thënë Dr. Rizzo. “Pastaj do të ulesha me disa njerëz, për t’i lënë ata që të më pyesin për gjërat e ndryshme në jetën time”, ka shtuar ai.

Megjithatë, ekspertët nuk janë të sigurt se si kjo gjë do të ndikonte në shëndetin mendor të përdoruesve. Disa kanë thënë që ky aplikacion do t’i qetësonte, ndërsa të tjerët kanë shtuar që aplikacioni do t’ua vështirësonte atyre tejkalimin e traumës.

“Mendoj që ndihma për njerëzit, të cilët mëtojnë t’i kalojnë sfidat emocionale është e mirëseardhur. Për më tepër, mendoj që nuk është mungesë respekti për të vdekurit, familjarët e të cilëve dëshirojnë që ata të jetojnë përgjithmonë”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot)