Fantazma e Vejushës po e terrorizon një fshat në Tajlandë

  • 29 July 2015 - 08:59
Fantazma e Vejushës po e terrorizon një fshat në Tajlandë

Një fshat është duke jetuar nga frika prej tashmë të famshmes ‘Fantazma e një Vejushe’, e cila konsiderohet të jetë fajtore për vdekjen e të paktën dhjetë burrave që prej vitit të kaluar. Shumica e burrave, të cilët a kanë gjetur vdekjen në pjesën e parë të vitit, paraprakisht ishin munduar ta ndalin këtë përbindësh nga shkaktimi i terrorit në fshatin e tyre.

Ndjekësi i shpirtrave të ligë

Fshatarët, që jetojnë në fshatin Tha Sauang në Tajlandë, e kanë angazhuar në ndjekës të dukurive paranormale, që në veçanti është i përqendruar në hulumtimin e shpirtrave të ligë, me shpresën që ai do t’iu ndihmojë në zbardhjen e vdekjeve misterioze të burrave të fortë e të shëndoshë, për të cilët, i gjithë fshati dyshon se ‘ia kanë dorëzuar shpirtin’ ‘Fantazmës së Vejushës’, e cila, për një kohë të gjatë kishte dalë për ‘gjah’ në fshatin e tyre. Hulumtuesi i dukurive paranormale, që ishte takuar me prijësit e fshatit, u ka thënë banorëve vendas që shtëpitë, të cilat kanë vetëm nga një mashkull në shtëpi, janë më të rrezikuarat nga efekti i kësaj fantazme, ndërsa, teksa iu ka dhënë këshilla për parandalimin e më të keqes, ai i ka këshilluar familjarët që ta vendosin nga një shami të kuqe jashtë shtëpisë, shenjë kjo që besohet se i zmbraps shpirtrat e ligë.

Paraqitja e fantazmës në këtë fshat, që tanimë konsiderohet të jetë i pushtuar, ka shkaktuar panik të madhe në mesin e banorëve saqë edhe ata që nuk besojnë në gjëra të tilla janë detyruar që të vendosin shami të kuqe nëpër shtëpitë e tyre, duke mos dashur t’i shqetësojnë fqinjët, e, shpeshherë, edhe për shkak të thënies: ‘Kurrë nuk i dihet’.

Masat mbrojtëse

“Shumica e burrave që kanë vdekur, paraprakisht nuk kanë pasur asnjë shenjë të sëmundjes. Ata kanë qenë krejtësisht në rregull. E, kur kam dëgjuar për thashethemet në fshat, menjëherë e kam vendosur një shami të kuqe jashtë shtëpisë, duke u munduar që t’i respektojë besimet e bashkëfshatarëve”, ka thënë një 42-vjeçar nga ky fshat për ‘The Bangkok Post’.

Seria e këtyre ngjarjeve është komplikuar edhe më tej nga presioni politik i grupit të Fronit të Bashkuar për Demokraci Kundër Diktaturës, grup ky që është themeluar për t’i kundërshtuar mbështetësit e atyre që e kishin organizuar grushtshtetin në vitin 2006, të cilin e ka mbështetur shumica e qytetarëve. E, ajo që ka shkaktuar më së shumti polemika është fakti që simboli i kësaj lëvizje është një shami e kuqe, e njëjtë me atë që po vendoset nëpër ballkonet e shtëpisë, për ta larguar të keqen, që në këtë rast është fantazma e vejushës.

(Kosova Sot)