Gjurmët në varr

  • 01 August 2015 - 19:47
Gjurmët në varr

Gishti i akuzimit publik u drejtua kah një plake. Historianët nuk mund të pajtohen rreth asaj sesi quhej ajo dhe sa vjet kishte

Vetëm në vitin 1692 në Salem, Masaçusets, nën akuzën se ishin marrë me magji të zezë, ishin varë 13 njerëz. Për kolonelin Bucks nga Bucksport në Main, ishte çështje prestigji që edhe fshati i tij të merrte pjesë në gjuetinë e përgjithshme në shtriga. Nuk kishte mbledhje të kuvendit të fshatit, ku koloneli të mos e shtronte këtë çështje. Këmbëngulësia dha rezultate.

Image

Plaka e quajtur Comfort

Gishti i akuzimit publik u drejtua kah një plake. Historianët nuk mund të pajtohen rreth asaj sesi quhej ajo dhe sa vjet kishte. Sipas një shënimi, emri i saj ishte Comfort Ainsworth dhe ajo ishte më e vjetër se 90 vjet. Procesi kishte filluar. Dëshmitarët ishin renditur njëri pas tjetrit, duke dhënë dëshmi akuzuese. Të akuzuarën thuajse nuk e shikonte kush, por të gjitha shikimet ishin drejtuar kah koloneli Bucks. Një grua thoshte sesi e kishte dëgjuar plakën duke murmuritur diçka. Por, pasi që i kishte plasur gjaku nga veshët, sapo kishte mbërritur në shtëpi, ajo kishte përfunduar se plaka i kishte bërë asaj magji. Kurse një njeri bënte be ta kishte parë një përbindësh dhjetë metra të gjatë në derën e shtëpisë së plakës. Ishte evidente se ai ishte djalli me të cilin ajo bashkëpunonte.
Porota nuk kishte diskutuar gjatë.

Image

Dënimi me vdekje

Duke cituar tekstin “Ligësia nuk meriton të jetojë”, gjykatësi e kishte akuzuar Comfort Ainsforthin për praktikim të magjisë së zezë dhe e kishte dënuar me vdekje. Para se ta merrnin rojet, plaka ia kishte drejtuar gishtin kolonelit dhe i kishte thënë:

“Gjatë tërë jetës sime kurrë nuk e kam mallkuar askënd. Por, ty dhe këlyshët e tu ju mallkoj pa asnjë hezitim, meqë më dënuat me vdekje. Por, mbaje mend këtë mirë: Kur të vdesësh, gjë që do të ndodhë së shpejti, të premtoj se mbi gurin e varrit tënd do ta lë shenjën e këmbës. E ai nishan, kolonel, do të mbetet përjetë, për t’ia përkujtuar botës padrejtësinë që është bërë këtë ditë”.

Image

Plotësimi i profecisë

Tre muaj pas gjykimit, koloneli vdiq. Pasardhësve ua kishte lënë amanet që përmendoren e varrit t’ia bënin nga një gur i tillë, që nuk do të mund të dëmtohej nga askush. Në fillim punët rreth përmendores kishin shkuar mirë, por një ditë punëtori i kishte njoftuar pasardhësit e kolonelit, se në gurin e varrit, ishte paraqitur shenja e një këmbe. Më kot ata kishin tentuar ta bënin një përmendore tjetër, me gur edhe më të shtrenjtë, por gjurma sërish ishte shfaqur. 

(Kosova Sot)