Vitin e ardhshëm fillojnë testimet për udhëtim në Mars

  • 12 March 2018 - 11:15
Vitin e ardhshëm fillojnë testimet për udhëtim në Mars

Themeluesi i kompanisë amerikane për prodhimin e mjeteve kozmike dhe raketave SpaceX, Elon Musk, njoftoi se vitin e ardhshëm do të fillojnë testimet e para për udhëtimin në Mars.

Musk, drejtori ekzekutiv (CEO) i SpaceX, e cila muajin e kaluar lançoi me sukses në hapësirë raketën më të fuqishme komerciale Falcon Heavy, mbajti një fjalim në një aktivitet të organizuar në qytetin Austin të Teksasit.

Duke folur në lidhje me planet e SpaceX, Musk tha: “Jemi duke ndërtuar anijen e parë ndërplanetare e cila do të shkojë në Mars. Fillimisht do të ketë fluturime të shkurtra. Mendojmë që testimet të fillojnë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”.

Musk bëri të ditur se në kuadër të testimeve fillimisht do të bëhen provat për ulje dhe ngritje, duke shtuar se në fluturime ende nuk do të marrin pjesë njerëz.

Ai tha se shpreson që testimet e SpaceX të jenë frymëzim për hulumtime nga kompanitë e tjera kozmike dhe raketore dhe veçanërisht shtetet.

Ndryshe, raketa Falcon Heavy, pjesët e së cilës mund të ripërdoren, kishte spikatur me kapacitetin e ngarkimit dhe koston e lirë prej 90 milionë dollarësh.

Falcon Heavy ishte raketa më e fuqishme komerciale e dizajnuar deri më sot me kapacitet ngarkimi prej 63.8 tonësh.