Adoleshentja e pushtuar nga shpirti i një vajze të vdekur

  • 20 October 2018 - 15:49
Adoleshentja e pushtuar nga shpirti i një vajze të vdekur

Një adoleshente pretendon se për vite të tëra është përndjekur nga shpirti i një vajze, që kishte vdekur në shtëpinë ku ajo jetonte,raporton Gazeta Kosova Sot

Fakti që Toka mund të jetë vizituar nga një grup jashtëtokësorësh është një gjë e frikshme në vete, mirëpo kur ke ndjenjën që po përcillesh nga një fuqi e padukshme, që të shtang sa herë që mendon për të dhe e ndjen që ajo fuqi e padukshme është e interesuar në ty dhe vetëm në ty, atëherë frika kalon në një dimension krejtësisht tjetër. Pikërisht kjo i ka ndodhur Kendy-t, një vajze që tashmë është në moshën e adoleshencës, e cila pretendon që asnjëherë nuk kishte besuar në dukuritë paranormale, ndonëse gjithmonë kishte menduar që është interesant të mendosh për to. Mirëpo, gjithçka kishte ndryshuar në vitin 2010, kur ajo dhe familja e saj ishin bartur për të jetuar në shtëpi të re në Port-Çester të Nju-Jorkut. Ajo thotë se asnjëherë nuk i kishte pëlqyer ajo shtëpi, përkundër faktit që dukej bukur. 


Fillimi i tmerrit "Gjithçka pati filluar kur më duhej të kujdesesha për vëllain tim gjatë natës, kur prindërit shkonin në punë. Sinqerisht, kam përjetuar tmerrin në atë kohë", ka thënë ajo, duke kujtuar ngjarjet e tmerrshme që i kishin ndodhur. "Nuk mund të flija natën. Më duhej të mbulohesha krejtësisht për të më marrë gjumi. Gjithmonë e ndjeja prezencën e dikujt pranë meje, prezencën e dikujt që më shikonte dhe më tmerronte". Gjithsesi, pas disa ditësh të tmerrshme, Kendy kishte pasur "pak pushim", kohë kur fantazma e kishte lënë të qetë për një kohë. Mirëpo, disa muaj më vonë, ndjesia e njëjtë i ishte kthyer përsëri. 

Rikthimi i fantazmës "Kam qenë e vetmuar në shtëpi dhe prindërit patën shkuar në një aheng. Çdo pajisje elektrike në shtëpi ka qenë e ndezur, sepse, për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën, doja që në shtëpi të kishte më shumë zhurmë. Krejt papritmas e pata ndjerë prezencën e hijes nga prapa. Nuk mund të lëvizja. As edhe një centimetër. Nuk e di se çka ka qenë ajo krijesë apo shpirt që më qëndronte prapa, thjesht e di që u pata shtangur", ka thënë Kendy, duke u dridhur nga frika. Ajo ende ndihet e shqetësuar sa herë që e kujton ngjarjen e tmerrshme të asaj kohe. "Tre minuta më vonë e pata ndjerë që fantazma ishte larguar dhe unë mund të lëvizja përsëri. Atë natë e kam kaluar e tmerruar. Për më tepër, bodrumi ka qenë vendi më i frikshëm që mund ta imagjinoja. Ka qenë ftohtë dhe gjithmonë e ndjeja që dikush po më shikonte". Një natë, teksa ajo po i shikonte fotografitë në celularin e nënës së saj, për të cilin thotë që ka qenë vetëm ajo që e ka përdorur për të bërë fotografi, ajo kishte hasur në një fotografi, të cilën nuk i kujtohej që e kishte shkrepur. "Ishte e fotografuar kuzhina jonë dhe në skaj të kuzhinës qëndronte një vajzë e vogël me flokë të gjatë e të drejtë dhe me fustan të bardhë. U pata tmerruar"

Zbulimi i së vërtetës Disa javë më vonë, kur nëna e saj ishte nisur për në punë, i kishte treguar që gjatë ditës në shtëpi do të vinin fëmijët e kushërinjve për të qëndruar. E, kur në një moment Kendy kishte dalë nga banja, ajo kishte dëgjuar krisma të mëdha në derën e pasme, të cilën familja e përdorte vetëm për t'u futur në bodrum. "Dikush donte të futej në shtëpi", ka thënë ajo. Duke menduar që ishin fëmijët e kushërinjve, ajo kishte thënë: "Prisni, tani po e hap". Mirëpo, për një moment trokitjet ishin ndalur dhe kur ajo e kishte hapur derën nuk kishte parë njëri. Pasi ishin zhvendosur nga ajo shtëpi, Kendy kishte filluar të hulumtonte për shtëpinë në të cilën kishte përjetuar tmerrin dhe e kishte kuptuar që në vitet e 1800-a në atë shtëpi kishte vdekur një vajzë rreth të njëzetave, që ishte ndarë nga kjo botë pak ditë pasi ishte martuar. "Pata përjetuar një ndjenjë të tmerrshme. Vajza ishte pikërisht ajo që e kisha parë në fotografi". 

(Kosova Sot)