Legjendat e frikshme për familjet e kanibalëve

  • 13 November 2018 - 15:04
Legjendat e frikshme për familjet e kanibalëve

Kanibalizmi, tash e një kohë të gjatë, është njëra nga tematikat më të tmerrshme, që përdoret për realizimin e filmave të zhanrit horror. Mirëpo, kur flitet për kanibalizmin në jetën reale, që ka rrënjë të thella në historinë e njerëzimit, frika kalon në një dimension tjetër, duke ua futur frikën në palcë kujtdo që dëgjon për këto raste dhe beson sadopak në to.

Njëra nga legjendat më të frikshme, që ka lidhje me kanibalizmin, flet për një vend në jugperëndim të Giranit në Skoci, kur në pjesën e parë të viteve të 1500-a kishte filluar një seri e zhdukjeve të njerëzve, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Zhdukjet misterioze

Fshatarët e këtij vendi dhe vendeve përreth çdo ditë e më shumë kishin filluar të flisnin për zhdukjen e të afërmve të tyre, të cilët, edhe pas kërkimeve të detajuara, nuk ishin gjetur. Madje, familjarët dhe ekipet e kërkimit, në shumicën e rasteve nuk kishin arritur të gjenin as edhe ndonjë detaj të vogël, që do të mund të çonte në gjetjen e të zhdukurve.

Gjithsesi, gjërat kishin filluar të bëheshin me të qarta kur një grup njerëzish, të cilët po ktheheshin në mënyrë të organizuar nga një festë, kishin dëgjuar zëra të llahtarshëm nga një shtëpi, buzë së cilës po kalonin. Të intriguar nga zërat e çuditshëm ata ishin futur brenda dhe kishin parë që çifti, që jetonin në atë shtëpi, ishin sulmuar nga disa njerëz. Kryefamiljari veçse kishte dhënë shpirt, ndërsa gruaja për pak sa nuk kishte vdekur. ‘Mysafirët e paftuar’ kishin filluar t’i hanin viktimat e tyre, mirëpo ishin ndërprerë dhe si rrjedhojë, kur kishin dëgjuar se dikush po vinte, kishin ikur.

Pas këtij rasti, Mbreti James-i i Parë i Britanisë së Madhe kishte urdhëruar një kërkim gjithëkombëtar nën sipërfaqen e tokës dhe hulumtuesit, që kishin gërmuar deri në 60 metra nën tokë, kishin arritur të gjenin shumë kufoma njerëzish, të cilët ishin zhdukur jo shumë kohë më parë.

Banorët e shpellës

Pa kaluar shumë kohë ishin zbuluar edhe sulmuesit. Në thellësinë e një shpelle ishte gjetur Alexander Beane, i cili, bashkë me farefisin e tij (kryesisht produkt i incesteve) kishte jetuar duke u ushqyer me viktimat, të cilat i kishin prerë e masakruar gjatë natës, për t’i ngrënë gjatë ditës. Si rrjedhojë, autoritetet kishin vendosur që pa gjykim t’i ekzekutonin gjithë meshkujt e familjes, ndërsa gruaja dhe vajzat e Beane-t ishin djegur për së gjalli, pasi që i kishin parë familjarët e tyre tek vriteshin. Më vonë në fshat ishte zbuluar edhe vajza e Beane-t, e cila kishte mbijetuar pasi që ditën kur familja e saj ishte gjetur nga autoritetet, ajo kishte qenë jashtë shpellës, duke kërkuar hapësira më të përshtatshme për terrorizim.

Historianët kanë gjetur shumë ngjashmëri mes familjes Beane dhe një grupi tjetër, që pretendohet të jetë udhëhequr nga kasapi Andrew Christie. Ky tregim rrjedhë nga mesi i viteve të 1300-a dhe thuhet të ketë ndodhur gjatë periudhës së urisë në Skoci të Britanisë së Madhe. Gjatë kësaj kohe, Christie bashkë me anëtarët tjerë të grupit të tij ishin zhvendosur për të jetuar në hapësira malore, ku kishin kapur e kishin prerë kalimtarët e rastit, me mishin e të cilëve më pastaj ishin ushqyer.

Këto, gjithsesi, janë dy ngjarjet që më së shumti kanë shërbyer si inspirim për filmat e zhanrit horror, ndonëse ka edhe tregime për familje tjera, që kanë jetuar duke u ushqyer vetëm me mishin e njerëzve.

(Kosova Sot)