“Ringjallet” pak para se ta bënin “sallatë”

  • 13 October 2015 - 16:40
“Ringjallet” pak para se ta bënin “sallatë”

Si u zgjua njeriu që gabimisht e shpallën të vdekur, pak para autopsisë
Një pacient u zgjua në morg, pak minuta para se të fillonte autopsia e tij, meqë mjekët e kishin shpallur gabimisht të vdekur.

Burri 45-vjeçar kishte mbetur pa ndjenja në një stacion autobusësh në Mumbai të Indisë, pasi që, sikur që u konstatua më pas, vuante nga një infeksion i veshit dhe nuk ishte ushqyer sa duhet, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ai u dërgua në spital nga policia, ku një mjek i vjetër e shpalli atë të vdekur, pasi që ia kontrolloi pulsin, sipas burimeve të Spitalit të përgjithshëm “Lokmanya Tilak”.

Mjeku nuk i respektoi procedurat

Zyrtari kryesor mjekësor, Dr. Rohan Rohekar, thuhet se urdhëroi stafin që të pafatin ta dërgonin drejt e në morg, përkundër rregullave të spitalit, të cilat kërkojnë që kufomat të mbahen në repartin e lëndimeve edhe dy orë pas konstatimit të vdekjes, për të parë se a ka ndonjë mundësi të reanimimit.

Por, derisa trupi i tij përgatitej për autopsi, dy rojet e morgut u shastisën pasi që panë lëvizjet e tij duke marrë frymë. Derisa stafi ishte duke e rikthyer atë me shpejtësi në repartin e lëndimeve, njeriu u kthjell tërësisht.

Dr. Rohekar, pasi që pa gabimin serioz që kishte bërë, shqeu raportin e vdekjes për njeriun në fjalë dhe fshiu të dhënat që kishte shkruar në ditarin e repartit të lëndimeve, për çka tani akuzohet edhe zyrtarisht.

Policët të cilët arritën në spital për ta plotësuar raportin e vdekjes aksidentale, nuk u lejuan që të hynin brenda nga stafi i spitalit.

Çka kërkon policia?

Zyrtari i lartë policor, Yeshudas Gorde, thotë: “Ky është një rast serioz i neglizhencës nga ana e mjekut. U tronditëm kur mësuam që pacienti ishte gjallë, pasi që njëherë ishte shpallur i vdekur. I kemi shkruar letër dekanit të Spitalit “Sion”, duke kërkuar nga ai që ta bënte një hetim dhe të na raportonte më pas. Pasi që ta marrim raportin, mund të ndërmarrim veprime. Autoritetet e spitalit duhet të ndërmarrin veprime kundër personelit, përgjegjës për këtë veprim”. 

Rasti heshtet

Dekani i spitalit, Dr. Suleman Merchant, thuhet të ketë deklaruar se nuk është e rrallë që mjekët të mos mund ta hetojnë pulsin e pacientit, nëse ai ka pësuar tronditje të madhe.

Ai tregoi se mjekut përgjegjës i është tërhequr vërejtja që, në raste të tilla, trupi të mbahet në repartin e lëndimeve për dy orë të tëra, sikur që e kërkojnë rregulloret. Ai tha se mjeku në fjalë ishte i ri në atë spital, kështu që nuk i kishte ditur rregullat.

Dr. Rohekar ka refuzuar që të komentojë. Pacienti, emri i të cilit nuk është bërë publik, është duke u mjekuar për infeksion të veshit dhe ushqim të mangët.

(Kosova Sot)