Rastet misterioze të njerëzve që janë shfaqur nga asgjëja

  • 08 February 2016 - 18:07
Rastet misterioze të njerëzve që janë shfaqur nga asgjëja

Historia është e mbushur përplot me tregime për njerëzit që janë zhdukur në mënyrë misterioze, mirëpo një fushë që merr më pak vëmendje është ajo për njerëzit të cilët janë shfaqur nga asgjëja, raste këto që kanë ngjallur kureshtjen e një numri njerëzish, megjithatë askush nuk ka arritur të japë ndonjë përgjigje adekuate për këtë mister.

Fëmijët me lëkurë të gjelbër

Njëri nga rastet më të hershme dhe më të njohur të shfaqjes misterioze të njerëzve ka ngjarë në mes të shekullit të dymbëdhjetë, kur dy fëmijë ishin shfaqur në mënyrë krejtësisht misterioze në një vrimë të thellë, të cilën fshatarët e kishin hapur me qëllim të kapjes së ujqve. Fëmijët në fjalë – një vajzë dhe një djalë – kishin ngjyrë të gjelbër të lëkurës dhe përkundër insistimit të fshatarëve, ata nuk kishin thënë as edhe një fjalë të vetme, duke lënë të kuptohej që nuk e kuptonin gjuhën e atyre që flisnin. Në fakt, ata nuk ishin ndalur së biseduari me njëri-tjetrin, në një gjuhë krejtësisht të panjohur për fshatarët. Fshatarët, duke mos ditur çka të bënin me fëmijët, të cilët dukeshin të shëndoshë, ani pse kishin marramendje, ia kishin dërguar pasanikut të kohës Sir Richard de Calne, i cili i kishte marrë ata nën kujdes. Fëmijët, pasi ishin vendosur në vendbanimin e tyre të ri, kishin qarë vazhdimisht dhe përkundër faktit që dukeshin të uritur, kishin refuzuar të hanin. Mirëpo, pas një kohe, kur vajza kishte mësuar të fliste anglisht, ajo e kishte rrëfyer tregimin e saj, duke i befasuar të gjithë kur kishte thënë që ajo dhe vëllai i saj vinin nga një civilizim që jetonte nën tokë, ku asnjëherë nuk kishin rënë rrezet e diellit, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ushtari meksikan

Një tjetër tregim interesant vjen nga Meksika e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, kur më 26 tetor të vitit 1593 ushtarë meksikanë e kishin takuar një person të rraskapitur, me uniformë të gardës së ushtrisë së Filipineve. Të habitur se si ai kishte arritur kaq larg – nga Filipinet në Meksikë – dhe se si kishte arritur të depërtonte në gardat mbrojtëse të vendit, ushtarët i ishin afruar atij, për t’u habitur nga tregimi që ai e kishte rrëfyer. Ai pretendonte që në mbrëmjen e 23 tetorit të vitit 1953, ai kishte dalë në punë, pasi në vend gjendja ishte e jashtëzakonshme, pas vrasjes së guvernatorit Don Gómez Pérez Dasmariñas. I lodhur ai i kishte mbyllur sytë për një moment dhe kur i kishte hapur, e kishte gjetur veten në një ambient krejtësisht tjetër, i rrethuar me njerëz e pamje që nuk i njihte. Gjithsesi, ushtarët meksikanë nuk i kishin besuar këtij tregimi dhe si rrjedhojë e kishin burgosur nën akuzat që ishte ‘shërbëtor i djallit’. Ai ishte liruar disa muaj më vonë, pasi  në Meksikë kishte mbërritur një anije dhe zyrtarë, të cilët e njihnin Perez-in.

Udhëtari në kohë

Po kaq i çuditshëm është edhe tregimi i burrit që në qershor të vitit 1950 ishte shfaqur në një rrugë të ngarkuar të Nju-Jorkut, i veshur me rroba që kishte kohë që ishin dalë prej mode. Personi në fjalë kishte lëvizur i pashpresë nëpër rrugët e Nju-Jorkut dhe papritmas ishte goditur nga vetura dhe kishte vdekur në vend. Pasi trupi i tij ishte ekzaminuar ishte bërë e ditur që ai ishte rreth të tridhjetave, kishte veshur rroba që ishin përdorur më shumë se njëqind vjet më parë dhe në xhepat e tij ishin gjetur gjëra të çuditshme, përfshirë këtu edhe kartëmonedha që kishte kohë që kishin dalë nga përdorimi.

(Kosova Sot)