Rrëfimet e njerëzve, që kanë përjetuar eksperienca pranë vdekjes

  • 10 February 2016 - 17:06
Rrëfimet e njerëzve, që kanë përjetuar eksperienca pranë vdekjes

Njerëzit, të cilët janë ballafaquar me vdekjen para se të ringjalleshin, po i tregojnë botës se si ndihet njeriu në çastet e fundit të jetës së tij

Pa marrë parasysh se a besoni që do të bashkoheni me familjarët tuaj në vendin që quhet parajsë, apo nuk besoni që ju pret ndonjë gjë, pasi që të keni vdekur, ajo që ndodh, pasi që një person të ketë ‘dhënë shpirt’, përbën njërin prej mistereve më të mëdha.

Mirëpo tani një grup njerëzish, të cilët kanë përjetuar vdekjen dhe të cilët besojnë që mund të tregojnë se si është të vdesësh, kanë filluar të futen më të madhe në një ueb-sajt të pyetjeve dhe përgjigjeve të njohur si ‘Quora’, ku edhe shpjegojnë se si janë ndier në momentin kritik, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Përvojat e tyre janë nga më të ndryshmet, me disa që kanë ndier një lloj ngazëllimi e me disa të tjerë, të cilët janë dëshpëruar plotësisht, për shkak të mosarritjes së përmbushjes së qëllimeve personale, gjatë kohës kur kanë qenë gjallë.

Në përgjigjen për pyetjen se ‘Si të bën të ndiesh vdekja?’ përdoruesit kanë dhënë përgjigje nga më të ndryshmet, duke i shpjeguar eksperiencat e tyre buzë vdekjes dhe kthimin në jetë, pasi që ishin shpallur të vdekur.

Qetësi absolute

Megan e ka përshkruar eksperiencën e saj i një ndjenjë të ‘qetësisë, haresë dhe paqes’.

“Mendoj që nuk ekziston ndonjë fjalë në fjalor që do ta shpjegonte se sa e mirë që ka qenë ajo ndjenjë”, ka thënë ajo.

Llogaritë e përdoruesve ofrojnë një pjesë të asaj se çka ndodh pas vdekjes së një personi dhe këto tregime janë lexuar nga afro 1 milion njerëz, me rrëfimin e Vera-s, që ka qenë njëri nga më të popullarizuarit. Ajo, në rrëfimin e saj, thotë që ishte helmuar nga monoksidi i karbonit, kur kishte qenë njëmbëdhjetëvjeçare dhe kur jetonte në Bashkimin Sovjetik, bashkë me nënën e saj,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“U pata mbuluar nga një lloj mbulese e rëndë dhe e padukshme e vdekjes”, ka kujtuar ajo. “Pastaj pata ndier zemrën që rrihte me shpejtësi, kokën e turbulluar krejtësisht dhe ndihesha sikur shumë bletë gumëzhinin në brendësinë e trupit tim. Ndihesha sikur të m’i kishin ngulur dy thika, në secilën anë të kokës. E ndieja që po vdisja. Është një lloj alarmi që ndizet në brendësi, për të treguar që po vdes”.

Vdekja që zgjati 15 minuta

Të njëjtën gjë e kishte përjetuar edhe nëna e saj, e cila gjithashtu kishte rënë përtokë, sikur Vera.

“Në sekondat që pata qenë e këndellur pata bërë thirrje për ndihmë, mirëpo askush nuk më pati ndihmuar. Pastaj u pata bërë shumë më e lehtë sesa që jam dhe pata filluar të ngrihesha lart, duke mos më penguar aspak graviteti”.

Vera ishte shpëtuar nga babai i saj, i cili e kishte dërguar në spital, mirëpo doktorët i kishin thënë që ishte tepër vonë, pasi që kishin kaluar të paktën 15 minuta që prej kur ajo kishte pësuar vdekje klinike.

Mirëpo, babai i saj kishte insistuar që të vazhdoheshin përpjekjet për ta shpëtuar. Vera, që është kthyer nga vdekja, thotë që tani është krejtësisht e çliruar, pasi që e di që parajsa ekziston.

Tregim të ngjashëm ka rrëfyer edhe Barbara, që ka thënë se në momentin kur kishte filluar gjithçka ajo kishte filluar ta humbiste ndjenjën e të qenit në dhomën, ku ishte e shtrirë dhe gjëja e vetme, të cilën mund ta dëgjonte, ishte zhurma e aparateve që e mbanin në jetë. Gjithçka përreth saj ishte errësuar dhe Barbara ishte përgatitur të shkonte në jetën e përtejme. Doktorët e kishin shtrirë në sallën e operacionit, ku ajo pretendon të ketë vdekur për dhjetë minuta, para se të rikthehej në jetë.

Në anën tjetër për Terence-n, një tjetër person që ka përjetuar momentet e fundit të jetës, para se të rikthehej fuqishëm, jo gjithçka ka qenë kaq e këndshme,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Nuk ka pasur dritë, nuk ka pasur Jezus. Gjithçka ishte si mjegull. Ndjenja e vdekjes është pranim i realitetit – rreshti i fundit i një libri. Unë kam përjetuar një vdekje të ngadaltë, andaj edhe ndieja organet që pushonin së punuari njëra pas tjetrës. Njerëzit përreth më flisnin për lëkurën time, duke më treguar se si ngjyra e saj po ndryshonte”.

(Kosova Sot)