Belgjika dhe Holanda përgatiten për katastrofë bërthamore

  • 03 May 2016 - 13:25
Belgjika dhe Holanda përgatiten për katastrofë bërthamore

 Është bërë e ditur se Belgjika dhe Holanda janë duke iu shpërndarë banorëve të tyre pilula kundër fatkeqësive bërthamore.  

Ministrja belge e Shëndetësisë, Maggie de Block, ka konfirmuar se kjo masë drastike duhet t’iu ndihmojë njerëzve që të mbrohen nga rrezatimi, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Pilulat me jod ndihmojnë në zvogëlimin e grumbullimit të rrezatimit në tiroide dhe më parë iu dedikoheshin vetëm njerëzve që jetojnë rreth 20 kilometra nga centralet bërthamore në Belgjikë. De Block tani thotë se ky program përfshin tërë popullatën. Masa të ngjashme janë duke u ndërmarrë edhe në Holandë.

Përndryshe, centralet bërthamore belge ka kohë që paraqesin rrezik të sigurisë. Bile, Gjermania ka kërkuar mbylljen e tyre, para se të shtohen masat e sigurisë. Por, Agjencia belge e sigurisë bërthamore e ka refuzuar këtë kërkesë si të pabazë.

(Kosova Sot)