Reçeta e Cekës - Tortë “vesa”

  • 19 February 2017 - 18:04
Reçeta e Cekës - Tortë “vesa”

PËRBËRËSIT PËR PATISHPAN: 6 vezë, 6 lugë sheqer, 2 lugë miell, 6 lugë arra të bluara.,raporton Gazeta Kosova Sot

KREMI: 2 dcl qumësht, 100 gr sheqer, 250 gr arra të bluara, 2 të verdha vezësh, 150 gr gjalpë, lëvorja dhe lëngu i një portokallit, 100 gr çokollatë.

KREMI I BARDHË: 250 gr sheqer, 1 dcl ujë, 4 të bardha vezësh, 4-5 pika lëng limoni ose uthull.

Kyçet furra në 170 gradë Celsius. Tunden të bardhat e vezëve me sheqer në marengë të qëndrueshme. Shtohen të verdhat e vezëve duke i tundur edhe më tej. Shtohen mielli dhe arrat e bluara duke i përzier me lugë, që të mos bjerë shkuma. Masa hidhet në kallëp për tortë, të lyer me yndyrë dhe të përmillur ose të shtruar me letër pergamenti. Futet në furrë të nxehtë për t’u pjekur për afro 50 minuta pa e hapur furrën. Vlohet qumështi me sheqer. Hidhen arrat e bluara, çokollata e prerë në copa të vogla dhe përzihet mirë gjersa të shkrihet. Gjalpi i zbutur tundet gjersa të shkumojë. Shtohen të verdhat e vezëve, tunden, pastaj përzihen me kremin e përgatitur. Kremit i shtohen lëngu dhe lëvorja e portokallit e kaluar në rende. Kremi i bardhë: 4 të bardhat e vezëve tunden gjersa të shkumojnë. Masës së vezëve i hidhen curril sherbeti i zier nga 250 gr sheqer, lëng limoni dhe 3 lugë ujë. Tundet gjatë, gjersa të fitohet një shkumë e qëndrueshme dhe e fortë. Patishpani lyhet me kremin e zi mbi dhe anash. Mbi krem të zi hidhet marenga e bardhë dhe lyhet torta nga të gjitha anët. Zbukurohet sipas dëshirës. Pasi të ftohet mirë, me thikë të nxehur pritet në pjesë për t’u shërbyer me shampanjë, kafe ose lëng freskues. 

(Kosova Sot)