Reçeta e Cekës- Lazanje me spinaq

  • 24 April 2017 - 15:57
Reçeta e Cekës- Lazanje me spinaq

PËRBËRËSIT: 700 gr. spinaq, 1/2 lit. ujë, 1/2 lugëz kripë, 3 lugë gjalpë, 50 gr. miell, 1/4 l. qumësht, pak arrë moskati, piper, 100 gr. djath lope, 100 gr. djath deleje, 2 lugë ajkë, 2 domate të mëdha, 250 gr. lazanje të terura, 2, 5 l. ujë, kripë, 2 lugë vaj, 1 lugëz rigon. Spinaqi i larë fletë për fletë e i grirë hidhet në ujë valë të njelmët dhe pasi të vlojë 2 min. kullohet, kurse uji lehet anash. Në gjalpë fërgohet mielli duke e përzier vazhdimisht. Pasi të fillojë të marrë ngjyrë të verdhë, hidhen gradualisht qumështi dhe ujë spinaqi, duke e përzier vazhdimisht gjersa të fillojë të trashet. Mund t’i shtohen 2-3 lugë ajkë. Kriposet sipas shijes, hidhet arrë moskati dhe piper. Spinaqit i shtohet djathi i thërmuar. Domatet qërohen, u largohen farat, priten në katrorë të vegjël dhe u hidhet rigon. Brumi për lazanje zihet 8 min. në ujë të kriposur me një lugë vaj. Kullohen pastaj në tavë të lyer me yndyrë shtrohet një rend lazanje, mbi vendoset spinaqi, pastaj domatet dhe sipër salca. Vazhdohet njëlloj me lazanje, spinaq, domate dhe salcë. Mbi hidhet djath parmezan dhe futet në furrë të nxehtë me temp. 200 gradë C për t’u pjekur 30 min. Shërbehet e nxehtë. 

(Kosova Sot)