Reçeta e Cekës- Përgatitja e pizzave

  • 25 April 2017 - 15:41
Reçeta e Cekës- Përgatitja e pizzave

Për përgatitje të suksesshme të brumit për pizza, me rëndësi është mielli dhe maja e freskët. Brumi bazë për pizzë, është brumi i bukës. Brumi duhet të ngjeshet mirë, të qëndrojë në vend të vakët, i mbuluar gjersa të dyfishojë volumin. Pasi të vijë, brumi duhet ngjeshur edhe një herë dhe zakonisht në formë të rrumbullakët, me diametër 23-25 centimetra hollohet sa më shumë. Pasi të mbulohet me artikujt e zgjedhur, piqet në furrë me temperaturë 220 gradë për 15-20 minuta. Salca për picë: Në 2-3 lugë vaj të nxehtë, fërgohet 1 qepë e kaluar në rende me 1 thelb hudhre gjersa të zbuten. Shtohen 500 gr domate të qëruara, të pastruara nga farat dhe të prera në kubikë të vegjël ose 400 gr domate të konservuara. Domatet zihen 30 minuta. Shtohet kripë, pak sheqer, rigon, borzilok dhe zihen edhe 5 minuta. Salca bluhet në blender ose kalohet në sitë. Brumi i holluar lyhet me salcë të përgatitur, pastaj mbulohet me artikuj. Me rëndësi është edhe zgjedhja e artikujve sipas shijes, por të cilët duhet harmonizuar, që pizza të jetë sa më e shijshme dhe e lëngshme. Përbërësit për pizzë: kërpudha, speca ngjyrash të ndryshme, qepë, ullinj, proshutë, suxhuk, sardele, skampe, gaforre, ton, mish pule, viçi të zier, misër i konservuar, spinaq, artiçoke, djathëra: Rona, grojer, gorgonzola, parmezan dhe belpaese … Një pizzë e mirë nuk mund të përgatitet pa kaçkavall. 

(Kosova Sot)