Reçeta e Cekes: GJELLË VEGJETARIANËSH OSE PERIME SI GARNITURË

  • 16 January 2018 - 08:56
Reçeta e Cekes: GJELLË VEGJETARIANËSH OSE PERIME SI GARNITURË

PËRBËRËSIT:

1/2 kg karota, 1/2 kg bishtaja të gjelbra, 300 gr domate të vogla, 200 gr lulelakër e gjelbër, 1 spec i verdhë e 1 i kuq, kripë, piper, 75 gr gjalpë, 1/2 tubë majdanoz.

Karotat e vogla, të njoma, zihen të tëra, e në mungesë, ato të mëdhatë priten për së gjati në formë shkopinjsh të vegjël. Së bashku me karotat zihen bishtajat në ujë të njelmët. Pasi të kullohen ndahen në tuba. Specat zhyten në ujë të valë sa të zbuten pak dhe priten në lidhëse të holla. Tubat e karotave dhe bishtajave kufizohen me “lidhëse” specash. Lulelakra ndahet në pjesë të vogla, në madhësi të një kafshate. Zihen në ujë të njelmët, gjersa të zbuten, pastaj kullohen. Patatet e reja, të vogla, zihen 20 minuta në ujë të njelmët. Kullohen dhe ftohen. Domateve të lara e të fshira u bëhet një prerje në majë me thikë të sprehur mirë. Në mes të enës së gjërë vendosen domatet, përreth karotat dhe bishtajat e lidhura, e në skaj të enës vendosen patatet. Aty këtu vihet lulelakra e gjelbër. Gjalpi shkrihet, i shtohet majdanozi i prerë imët dhe hidhet mbi patate. Ena futet në furrë të nxehtë vetëm për disa çaste. Shërbehet me mish të pjekur, të zier ose si gjellë vegjetarianësh.

(Kosova Sot)