Receta e Cekës- Strudeli i rrumbullakët

  • 21 June 2018 - 11:36
Receta e Cekës- Strudeli i rrumbullakët

PËRBËRËSIT:

1/2 kg miell, 20 gr maja, ½ gotë qumësht, 100 gr gjalpë, 100 gr sheqer, 3 vezë, lëvorja e limonit, 1 sheqer vanileje.

PËR MBUSHJE:

150 gr rrush të thatë, 100 gr fik, 150-200 gr kajsi të thata, 100 gr arra ose lajthi të grimcuara, 50 gr sheqer, 2 vezë, kanellë sipas dëshirës. 

Shkrihet gjalpi dhe sa të ftohet, shtohen vezët, sheqeri, sheqeri vanilje, lëvorja e limonit e kaluar në rende dhe të gjitha tunden pak me tel për tortë. Kësaj mase i shtohen maja e ardhur dhe mielli, e pasi të përzihet mirë, derdhet në tavolinë të përmillur dhe ngjeshet duke e hedhur disa herë për tavoline. Gatuhet një brumë i butë, mbulohet në vend të vakët për 1 orë gjersa të dyfishohet masa e brumit. Ndërkohë, lahet rrushi, kullohet dhe ulet në rum ose ujë të vakët që të qëndrojë ½ ore, pastaj bashkohet me pemët e tjera të grimcuara dhe me arra, sheqer, kanellë, mollë të qëruar e kaluar në rende. Masa lidhet me 1 vezë të tundur me pirun.

Brumi i ardhur tëhollohet në një katror me diametër 30x 50 cm. Në të, për së gjati, vendosen pemët e grimcuara. Bëhet role, vendoset në tepsi të shtruar me letër pergamenti, duke i bashkuar skajet në rreth dhe duke futur mirë njërin skaj në tjetrin, të cilët lyhen me vezë që të bashkohen. Me thikë të sprehur mirë, strudeli pritet në formën zigzag nga 3 cm çdo njëra anë dhe në thellësi prej ½ centimetri. Në mes mund t’i vihet një gotë e lyer me yndyrë, në mënyrë që pasi të vijë brumi për ½ ore, gota largohet dhe mesi mbetet i zbrazët. Lyhet me vezë dhe piqet në furrë të nxehtë me temperaturë 180 gradë C në shkallën e ulët të furrës. Pas 15 minutash, ëmbëlsira mbulohet me letër dhe vazhdon pjekja edhe 30 minuta. Pasi të ftohet, hidhet sheqer pluhur. 

(Kosova Sot)