Aftet në gojë - si t'i shëroni?

  • 30 August 2016 - 21:36
Aftet në gojë - si t'i shëroni?

Aftet janë plagë të vogla me dhimbje që shfaqen në mukozën e gojës. Mund të jenë me ngjyrë të bardhë, të hirta apo të verdha, mund të shfaqen në mënyrë individuale apo në grupe. Më shpesh shfaqen në majën e gjuhës dhe skajet e gjuhës, nga ana e brendshme e faqeve apo edhe në pjesën e brendshme të buzëve. Shfaqen si pasojë e shumë arsyeve, si: rënia e imunitetit, dispozitat gjenetike, mungesa e vitaminave, mineraleve, probleme me tretjen, ndjeshmëri në ushqim …etj,raporotn gazeta Kosova Sot

STATISTIKAT Vlerësohet se nga aftet shpeshherë vuajnë një e pesta e popullatës botërore, e së paku 60 për qind e njerëzve aftet i kanë një herë në vit. Statistikat tregojnë se më shumë probleme me aftet kanë të rinjtë midis moshës 20 dhe 40 vjet, sidomos femrat (85 për qind).

MASAT PARANDALUESE Masa më e mirë parandaluese është forcimi i sistemit imun, ushqimi plot me vitamina, flavonoide dhe minerale, gjumë të mjaftueshëm dhe ushtrime.

ILAÇET NATYRALE DHE USHQIMI Terapia për shërimin e afteve bazohet në forcimin e imunitetit, pakësimin e dhimbjeve dhe përshpejtimin e shërimit. Ilaçet natyrale, pos ushqimit të shëndetshëm, janë qepa dhe hudhra. Kundër dhimbjeve dhe për shërim të shpejtë ndihmojnë kompresat nga qeskat e çajit dhe shpëlarja me ujë të njelmët të ftohtë. Këto lëngje i aplikoni me majat e gishtërinjve ose ta shpëlani gojën me ta. Kur të shfaqen aftet, shmangni irritimin e plagëve me ushqim pikant, të nxehtë, si dhe kujdes me pastat e dhëmbëve.

KUR T'I DREJTOHENI MJEKUT? Në rast të shfaqjeve të shpeshta të afteve dhe kur dhimbjet janë me intensitet të lartë, duhet të këshilloheni me mjekun. Ndihma e mjekut është e obligueshme nëse aftet përcillen me kollë, diarre apo infeksione të shpeshta në pjesët tjera të trupit. 

(Kosova Sot)