Kumaku, bima për shërim dhe zbukurim

  • 26 September 2016 - 17:23
Kumaku, bima për shërim dhe zbukurim

Kumakun (lat. Calendula officinalis) është një bimë e përhapur, e cila përdoret për shërim dhe zbukurim. Është e pasur me një sasi të madhe të flavonoideve, të cilat ndikojnë si masë parandaluese kundër inflamacioneve. Posedon edhe disa vajra eterike, nuk ka aromë aq të këndshme, por lulet kanë ngjyrë të hatashme. Është një përbërës i dobishëm si shtesë në çaj, që largon dhimbjet në traktin digjestiv. Shëron edhe plagët dhe infeksionet në lukth dhe në zorrën dymbëdhjetëgishtore, e normalizon punën e mëlçisë. Falë ndikimit të saj kundër inflamacioneve, kjo bimë qetëson pezmatimin e zorrës së trashë si dhe diarrenë. Në bazë të disa hulumtimeve, është vërtetuar se kjo bimë pastron enët e gjakut, i relakson ato, si dhe ul nivelin e kolesterolit në gjak. Po ashtu, është vërtetuar se ul shtypjen e gjakut dhe liron nga ngërçet, por ndikon edhe në shëndetin e syve, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Melhem për lëkurë

Kumaku ndikon mirë në shëndetin e lëkurës. Përdoret kundër ënjtjeve dhe plagëve. Shkaku i pranisë së provitaminave A ndihmon edhe te psoriaza. Në mjekësinë popullore nga kjo bimë përgatiten shumë melheme kundër akneve dhe puçrrave. Stimulon krijimin e qelizave të reja, por shihet si preparat i fortë kundër kërpudhave. 

(Kosova Sot)