Test i rëndësishëm për Shqipërinë

  • 29 May 2016 - 09:48
Test i rëndësishëm për Shqipërinë

Miqësorja ndaj Katarit pavarësisht emrit të kundërshtarit është një test shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Me Kampionatin Evropian afër, trajneri Gianni De Biasi nuk ka shumë kohë në dispozicion për të parë gjendjen reale të futbollistëve dhe për këtë arsye ky 90 minutësh është jetik. Numri një i stolit kuqezi duhet të kristalizojë idetë për mënyrën e lojës dhe mbi të gjitha të mendojë se kush do të jetë ekipi që do të udhëtojë drejt Francës, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Miqësorja me Katarin do të përcaktojë përfundimisht dhe 23 lojtarët që do të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental. Gjithashtu De Biasi duhet të vendosë për modulin e lojës dhe mbi të gjitha për formacionin titullar, edhe pse italiani ka treguar që nuk ka të padiskutueshëm në skuadër.

Nëse dilemat për portën dhe mbrojtjen nuk ekzistojnë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mesfushën dhe sulmin. Pikërisht ndaj Katarit është rasti për të kthjelluar idetë, edhe pse kundërshtari është një emër i lehtë në letër. Në qendër të vëmendjes në këtë duel do të jetë reparti i sulmit, i cili gjatë eliminatoreve nuk ka qenë në lartësinë e duhur.

Pavarësisht se futbollistët si Armando Sadiku, Sokol Cikalleshi apo Shkëlzen Gashi po kalojnë një moment të mirë në skuadrat e tyre, në kombëtare kanë ende për të dhuruar. Duke nisur nga Katari. Në Austri, në Hartberg, miqësorja ndaj aziatikëve është po aq e rëndësishme sa dhe vetë Evropiani. Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Katarit zhvillohet sot (e diel) nga ora 17:30.

(Kosova Sot)