Rreziku nga virusi Zika

  • 29 May 2016 - 10:00
Rreziku nga virusi Zika

Zhvillimi i Lojërave Olimpike, “Rio 2016” duhet të shtyhet, ose për të vazhduar sipas programit, duhet të ndryshojnë vendin e organizimit. Ky është apeli i 125 shkencëtarëve, sipas të cilëve rrezikohet përhapja e epidemisë nga virusi Zika. Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë e hodhi poshtë kërkesën e paraqitur nga shkencëtarët. “Në situatën aktuale të virusit Zika, që qarkullon në thuajse 60 vende të botës, nuk ekziston asnjë justifikim rreth shëndetit publik, që Lojërat Olimpike të shtyhen apo të mos zhvillohen”, shkruante në një deklaratë Agjencia e Kombeve të Bashkuara. Në letrën e adresuar për drejtoren e përgjithshme OBSH-së, Margaret Chan, shkencëtarët ekspertë për shëndetin publik, thanë se nuk është etike që Olimpiada të zhvillohet sipas parashikimeve, përballë një rreziku kaq të lart të infeksioneve, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Turistët duhet të marrin çdo masë të nevojshme

Zhvillimi i evenimentit në Rio të Brazilit u cilësua një rrezik i panevojshëm për 500 mijë turistët nga e gjithë bota që do të jenë të pranishëm në Lojëra. Kthimi i tyre në vendet e origjinës nga Brazili mund ti vendosë shtetet e ndryshme përballë rrezikut të përhapjes së virusit Zika. Por, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mënyra më e mirë për të ulur rrezikun është që të ndiqen këshillat e udhëtimit për shëndetin publik. Sipas OBSH-së, gratë shtatzëna nuk duhet të udhëtojnë drejt zonave ku virusi po përhapet, duke përfshirë edhe Rion, ndërsa të gjithë turistët duhet të marrin çdo masë të nevojshme për të evituar që të pickohen nga mushkonjat.

(Kosova Sot)