Tërhiqet Nadal

  • 29 May 2016 - 10:08
Tërhiqet Nadal

Spanjolli probleme me dorën

Tenisti Rafael Nadal është tërhequr nga Gland Slemi i Roland Garros-it. Nadal deklaroi se po ka probleme me dorën dhe e ka pamundur të vazhdojë në këtë turne shumë të rëndësishëm

Mbetet në kuotën e nëntë trofeve

Ëndrra për të fituar titullin e tij të dhjetë në Roland Garros do të vazhdojë të mbetet thjeshtë e tillë për Rafael Nadal, sepse ndaj fatit të keq tenisti spanjoll nuk mund të bëjë dot asgjë. Për shkak të një lëndimi mbreti i French Open dhe njeriu simbol i Grand-Slemit parisien mori vendimin për t’u tërhequr nga turneu i dytë i madh i këtij viti. Rafael Nadal papritur u shfaq në sallën e konferencave për të shtyp, së bashku me menaxherët e tij. Gazetarët e pranishëm u habitën nga prania e tij në sallë sepse e premtja ishte ditë pushimi për 29-vjeçarin nga Majorka, i cili një ditë më parë kishte eliminuar shumë thjeshtë argjentinasin Bagnis në sfidën e vlefshme për raundin e dytë. Por, Nadal e kishte një arsye se përse ndodhej aty, dhe ishte pikërisht ajo që i druheshin të gjithë. “Ndodhem këtu për t’iu bërë të ditur të gjithëve se më duhet të tërhiqem nga turneu sepse kam një problem në dorë të cilin e vuaj prej disa javësh. Kur mbërrita në Paris dhimbja që ndieja ishte e vogël, por me kalimin e ditëve ajo është shtuar gjithnjë e më shumë dhe tashmë nuk jam më në gjendje të luaj. Kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për ta hedhur pas shpine këtë problem, por nuk ja kam dalë dot”, deklaroi spanjolli, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

E pamundur të vazhdojë

Nadal shtoi se tashmë lëndimi është përkeqësuar dhe kjo është arsyeja që ai po tërhiqet nga turneu në Francë.“Të enjten zbrita në fushë pasi më kishin injektuar një antibiotik për të parandaluar dhimbjet. Në ndeshje gjërat shkuan mirë për mua, por më pas gjendja e dorës sime u përkeqësua shumë. Mëngjesin e së premtes nuk arrija dot as ta lëvizja dorën. Prandaj jam këtu sepse edhe rezonanca magnetike që kreva përcaktoi që e kam të pamundur të zbres në fushat e tenisit për disa javë”, theksoi Nadal. Edhe pse me një problem në dorë, Nadal në dy ndeshjet që zhvilloi në Roland Garros shfaqi një formë të shkëlqyer. Edhe pas vitit 2016-të, do të mbetet në 9 numri i trofeve të fituar nga tenisti spanjolli mbi dheun e kuq të kryeqytetit francez. Tërheqja e Nadal-it u hap rrugën favoritëve të tjerë për ti shkuar deri në fund Grand Slemit të dytë të vitit.

(Kosova Sot)