Konfirmohen bisedimet Real- Lewandowski

  • 29 May 2016 - 10:10
Konfirmohen bisedimet Real- Lewandowski

Robert Lewandowski mund të jetë në radhët e Real Madrid-it edicionin e ardhshëm. Agjenti i sulmuesit polak ka konfirmuar tashmë se ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit madrilen dhe se Bayern Munich-u është vënë në dijeni në lidhje me këtë çështje, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

“Kemi folur me drejtuesit e Real-it dhe te Bayern-i e dinë këtë. Real Madrid-i është një klub i madh dhe prestigjioz”, ishte deklarata e agjentit të Lewandowski-t. Ndërkaq, edhe vetë sulmuesi polak, autor i 30 golave në këtë edicion në Bundesligë, ka shprehur dëshirën e tij për të ndryshuar ambient:

“Prej 6 vitesh aktivizohem në Bundesligë dhe këtu kam fituar gjithçka. Ndonjëherë është e nevojshme të mendohet për të provuar një eksperiencë të re”.

Lewandowski ka edhe 3 vjet kontratë me bavarezët, por te Real-i tashmë është përgatitur plani për futbollistin polak.

Sipas asaj që publikohet te “Der Spiegel”, klubi spanjoll ka bërë gati kontratën e re për të, që do të jetë me afat 6-vjeçar, me një pagë prej 25 milionë eurosh bruto në edicion.

 Largimi i mundshëm i Lewas drejt Spanjës, bën që Bayern-i të kthejë sërish sytë nga Napoli për të tentuar blerjen e Gonzalo Higuain-it, që pëlqehet shumë nga Carlo Ancelotti.

(Kosova Sot)