Franca humb edhe mbrojtësin Mathieu

  • 29 May 2016 - 15:32
Franca humb edhe mbrojtësin Mathieu

Pas Rafael Varane edhe Jeremy Mathieu nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Francës për Euro 2016. Mbrojtësi i Barcelonës vuan nga një dëmtim muskular dhe kjo e ka detyruar të braktisë Kombëtaren e Gjelave duke futur në telashe të mëdha trajnerin Didier Deschamps, i cili duhet të ndërtojë një linjë të re mbrojtëse për ndeshjet e europianit. Mathieu numëron 5 ndeshje me Francën dhe vendin e tij do ta zejë Samuel Umtiti i skuadrës së Lyonit. Ai u dëmtua në finalen e Kupës së Mbretit të fituar kundër Sevillas në kohën shtesë.

Përvec Varane dhe Mathieu, Deschamps nuk ka në dispozicion as Kurt Zouma e Mahmoudou Sakho i pezulluar me 6 muaj për doping. Skuadra mikëpritëse që bën pjesë bashkë me Shqipërinë në Grupin A do të çelë Euro 2016 me përballjen e 10 Qershorit kundër Rumanisë, më pas sfidon Shqipërinë dhe e mbyll këtë fazë me takimin kundër Zvicrës. Përpara startit të Europianit, Franca do të zhvillojë dy teste kundër Kamerunit në datën 30 dhe ndaj Skocisë 5 ditë më pas.

(Kosova Sot)