Memushaj në mesin e më të mirëve

  • 25 June 2016 - 08:54
Memushaj në mesin e më të mirëve

L edian Memushaj ka përfunduar në formacionin ideal për ndeshjet e treta në "Euro 2016" të bërë nga "France Football". Mesfushori nga Vlora ishte një nga lojtarët më të mirë sfidën e fituar minimalisht ndaj Rumanisë, ku ishte edhe autor i asistimit perfekt që Armando Sadiku e ktheu në gol. Në formacionin më të mirë të ndeshjeve të treta në grupe, në portë ndodhet kroati Danijel Subashiq, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Joshua Kimih i Gjermanisë, turku Mehmet Topal, islandezi Arnason dhe uellsiani Neil Teilor.

Në mesfushën me tre, Ledian Memushaj rreshtohet në qendër, ndërsa përkrah tij janë uellsiani Aaron Ramsey nga e djathta dhe irlandezi Bredy majtas. Cristiano Ronaldo është sulmues i vetëm, ndërsa mbështetet nga krahët nga hungarezi Dudzak dhe kroati Ivan Perishiq. Memushaj është vlerësuar me notën 7 nga "France Football", ndërsa në përshkrimin për lojtarin thuhet se Memushaj ishte vendimtar në fitoren e Shqipërisë përballë Rumanisë në Lion, duke dhënë edhe asistin e golit për Armando Sadikun. Harkim perfekt nga afro 40 metra distancë, që nxori jashtë loje portierin Tatarusanu. Mesfushori 29- vjeçar u cilësua padron i mesfushës, ku ishte i shkëlqyer në caktimin e ritmit të lojës, vertikalizimet për skuadrën dhe goditjet drejt portës. Ndërkohë, revista franceze nuk harroi të theksonte se kuqeziu ishte një ndër protagonistët e rikthimit të Pescara-s në Serie A dhe vlera e tij e kartonit është rritur vazhdimisht pas paraqitjeve në Kampionatin Evropian.

(Kosova Sot)