Lineker: Pogba më i mbivlerësuari!

  • 28 June 2016 - 09:11
Lineker: Pogba më i mbivlerësuari!

Ka mjaftuar një gabim i konsideruar "pamaturi" nga ana e Paul Pogba-s, i cili shkaktoi një ndërhyrje të parregullt ndaj irlandezit Shane Long në zonën e rreptësisë, që ky i fundit të bëhet qendër e kritikave, pavarësisht se Franca e tij ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Evropianit, falë dygolëshit të Antoine Griezmann-it.

Komenti i tij bëri xhiron e botës Është pikërisht një ish-lojtar e tashmë analist sportiv nga mbretëria ishullore, që ka vënë me shpatulla pas murit numrin 10 të francezëve. Bëhet fjalë për Gary Lineker, i cili përmes një publikimi në rrjetin social "Twitter", ka vënë në dyshim talentin e lojtarit të "Les Bleus". "A është ky lojtari më i mbivlerësuar i botës?", ka shkruar ish-ylli i kombëtares angleze, tashmë komentator sportiv për "BBC Sport", si dhe moderator i emisionit "Ndeshja e ditës".

Sigurisht që gabimi i bërë nga Pogba mund t'u kushtonte shumë "Gjelave", pavarësisht se gjithçka mund të harrohet si pasojë e përmbysjes së rezultatit nga ana e sulmuesit të Atletico Madrid-it, Griezmann, por ai nuk ishte i vetmi që ndikoi në kritikat e ashpra të Lineker. Komenti i tij bëri xhiron e botës, pasi u shpërnda nga thuajse 8.000 ndjekës të tij. Pogba, gjithsesi, e pati të gjithë kohën në dispozicion për të treguar se kjo mund të ishte një kritikë e tepërt, madje as për vet Lineker-in nuk do të ishte e para herë që jep një "parashikim" të gabuar. Dhjetorin e kaluar, kur Leicester-i (vendlindja e Lineker-it) i Claudio Ranieri-t nisi arratinë në krye të Ligës Premiere, analisti i shquar sportiv shprehu skepticizmin e tij mbi një fitore të mundshme të "Dhelprave" e më pas u desh edhe vet të ndryshonte: "Nëse Leicester do të fitojë kampionatin, emisionin e parë të edicionit të ri do ta zhvilloj me të brendshme", shkruante sërish në "Twitter", ndërsa nuk dihet nëse do ta lejojnë ta mbajë fjalën.

(Kosova Sot)