Maradona paralajmëron rikthimin e Messit në kombëtaren argjentinase

  • 28 June 2016 - 20:53
Maradona paralajmëron rikthimin e Messit në kombëtaren argjentinase

Një lumë kritikash shkuan drejt tij, vetëm pse deklaroi largimin e tij nga kombëtarja “Albiceleste” pas dështimit të radhës, atë gjatë finales së Kupës së Amerikës në edicionin special të 100-vjetorit, duke humbur madje edhe një 11-metërsh vendimtar. Por, dikush i del në mbrojtje.

Ka qenë vet Maradona, ai që me karizmën e tij ka ndërhyrë për ta mbështetur futbollistin më të mirë në qarkullim, Lionel Messin.

“E kanë braktisur të gjithë, por unë nuk do të bëj të njëjtën gjë. Dua të flas personalisht me të”, thotë ish-legjenda e futbollit argjentinas “El Pibe de Oro”.

Diego Armando Maradona kërkon të flasë me synimin për ta bindur të ndryshojë mendim, ndoshta për ta motivuar edhe më shumë, por sigurisht për ta mbrojtur nga kritikët.

Pas tri botërorëve të humbur dhe tre finaleve gjithashtu të humbura në Kupën e Amerikës, hidhërimi duket se ka kapluar Messin. Gaboi në penalltinë decizive, e gjithë bota u duk se u shemb mbi kokën e tij, aq sa e detyruan që t’i japë fund përpara kohe karrierës me Argjentinën. “Ndoshta kjo punë nuk bën më për mua”, thotë talenti i Barcelonës me zemër të rënduar dhe tepër i dëshpëruar.

“Nuk je i denjë! Na braktise! Nuk ke zemër dhe madje as kurajo!”. Këto janë ndër kritikat e shumta të drejtuara në adresën e tij nga tifozët e “Seleccion”-it. Për të mos shtuar edhe ata më të ashprit, që i thonë: “Turp! Sa turp!”. Ndërsa të tjerë e mbyllin edhe më rëndshëm: “Nuk do të jesh kurrë si Maradona!”.

Pikërisht krahasimi me Maradonën duket se e ka vrarë më shumë shpirtërisht Messin, që nga momenti kur është kuptuar se asgjë nuk përputhet mes ish-legjendës dhe supertalentit aktual. E megjithëse bëhet fjalë për dy personalitete të ndryshme, me karaktere krejtësisht të kundërta me njëri-tjetrin, dhe pavarësisht duelit prej dekadash distancë, mes Messit dhe Maradonës nuk ka munguar asnjëherë stima, apo dashuria mes mjeshtrit dhe dishepullit të tij.

Ndoshta për këtë arsye nuk përbën ndonjë surprizë që dora e parë që i shtrihet Leos vjen pikërisht nga “Pide de Oro”. E këtë, Dieguito, siç e thërrasin me përkëdheli admiruesit e shumtë argjentinas, shkruan në “Facebook” në tri gjuhë të ndryshme, për t’u siguruar se nuk do të ketë asnjë keqkuptim.

“Leo duhet të vazhdojë me kombëtaren, sepse ka shumë për të dhënë. Ai do të shkojë në Rusi në gjendjen më të përshtatshme të mundur për t’u shpallur kampion bote. Do të më pëlqente të flisja me të, sepse e kanë lënë vetëm. Por unë nuk dua ta lë vetëm në këtë moment të trishtë”, thotë Maradona.

(Kosova Sot)