Fituesi i ndeshjes Itali-Gjermani fiton edhe kampionatin

  • 29 June 2016 - 08:45
Fituesi i ndeshjes Itali-Gjermani fiton edhe kampionatin

Evropiani ka hyrë në një fazë shumë të nxehtë.

"Dy kombëtaret e vetme që sipas mendimit tim i kanë gjasat më të mëdha për ta fituar kampionatin është Italia dhe Gjermania. Pra, fituesi i Evropianit për mua është te çifti ItaliGjermani", ka thënë Blerand Kurtishaj.

Kampionati Evropian i futbollit ka hyrë në një fazë shumë interesante. Tashmë është e qartë forca e kombëtareve pas katër ndeshjeve të zhvilluara në Francë dhe sipas asaj që kanë parë njohësit e futbollit vlerësohet se fituesi i përballjes Itali - Gjermani do të jetë edhe fitues i kampionatit, pasi rivalët e tjerë të mbetur në këtë kompeticion nuk besohet se janë në nivelin e këtyre dy kombëtareve. Mirëpo, duhet pranuar që në futboll jo gjithmonë fiton më i miri, kështu mund të ndodhë edhe këtë herë që garën ta fitojë dikush tjetër, e pse jo edhe Islanda, e cila po debuton në këtë garë, por po mahnit me lojën e treguar. Njëri nga futbollistët më cilësor në Kosovë, Blerand Kurtishaj, thotë se nëse bazohemi në cilësitë e skuadrave, atëherë më se afërmi titullit janë Italia e Gjermania, dy kombëtare këto që për fat të keq do të ndeshen ndërmjet vete në çerekfinale dhe se shumë më bukur do të ishte që ato t'i shihnim në finale. 

 

Evropian me shumë befasi Pa dyshim ky Evropian po cilësohet si njëri nga më të nivelizuarit deri më tash, pasi ende nuk ka kombëtare që po bëjnë diferenca të mëdha, përjashtuar këtu Italinë, e cila me fitoren ndaj Spanjës tregoi nivel të lartë dhe nëse e mban këtë ritëm me të drejtë mund të cilësohet si pretendenti numër një për ta fituar Kampionatin. Megjithatë, largimi i hershëm i Anglisë, Kroacisë e Spanjës, si dhe kualifikimi i kombëtareve si Islanda, Uellsi e Polonia, nuk ka se si mos të quhet kampionat i befasive. Por, ja që futbolli i sotshëm po luhet ndryshe dhe se më nuk luajnë emrat, por angazhimi në fushë. "Kombëtarja që më ka befasuar më së shumti padyshim është Islanda, nga e cila askush nuk e ka pritur këtë sukses, por me plot meritë është këtu ku është, madje me pretendime të vazhdojë edhe më tutje", ka thënë Kurtishaj, i cili kishte shpresuar shumë te Anglia, por ja që zhgënjimi i saj vazhdon. "Anglia kam dëshiruar të shkojë më lart, mirëpo si gjithmonë lë shumë për të dëshiruar, kështu që tash e tutje do t'i përcjell me shumë vëmendja Italinë dhe Gjermaninë", ka thënë sulmuesi i skuadrës kampione të Kosovës, Feronikelit, Blerand Kurtishaj.

Favorite dy skuadra Performanca e treguar deri tash nga Italia dhe Gjermania bën që të gjitha parashikimet për të triumfuar të shkojnë në adresë të tyre. Këto dy kombëtare do t'i matin forcat ndërmjet vete në çerekfinale, por që të gjithë do të donin që ato t'i shihnin në finale, pasi do të ishte një ndeshje shumë e fortë. Sido që të jetë për ish-sulmuesin e Trepçës'89 triumfuesi i kësaj ndeshjeje do të jetë edhe fitues i kampionatit. "Dy kombëtaret e vetme që sipas mendimit tim kanë gjasat më të mëdha për ta fituar kampionatin janë Italia e Gjermania, të cilat do të ndeshen ndërmjet vete në çerekfinale. Pra, fituesi i Evropianit për mua është te çifti Itali - Gjermani, cila kombëtare ngadhënjen në këtë ndeshje do ta fitojë gjithë kampionatin", ka përfunduar Blerand Kurtishaj. Të kujtojmë se në çerekfinale janë kualifikuar edhe kombëtaret si Franca, Belgjika e Portugalia, emra këto që në përbërjet e tyre kanë lojtarë shumë cilë- sorë, kështu që shumë lehtë mund të ndodhë që befasia të vazhdojë deri në finale.

(Kosova Sot)