Shumë skuadra pas Manajt

  • 29 June 2016 - 08:47
Shumë skuadra pas Manajt

Shtohen klubet pretendente që duan të kenë shërbimet e Rey Manajt. Pas Cesena-s, Perugia-s dhe Spal-it, në skenë ka dalë edhe Cagliari që në edicionin e ri do të luajë në Serie A, ndërkohë që 19-vjeçari pëlqehet edhe nga spanjollët e Sporting Gijon-it. Pak ditë më parë, Interi e bleu përfundimisht kartonin e Manajt nga Cremonese me futbollistin që ka një kontratë deri në vitin 2020 me klubin zikaltër.

Sipas asaj që raporton "FcInternews.it", drejtuesit e klubit kanë vendosur ta lejojnë sulmuesin shqiptar të largohet, por vetëm në formë huazimi. Trajneri Roberto Mancini dhe drejtori sportiv, Piero Ausilio, besojnë shumë të aftësitë e Manajt dhe janë të sigurt se nëse 19-vjeçari gjatë edicionit të ri do të luajë rregullisht në një skuadër më të vogël, ai do të rritet shumë si futbollist. E ardhmja e tij mund të zgjidhet në fund të kësaj jave. Klubi zikaltër thuhet se ka përcaktuar edhe mënyrën e transferimit të djaloshit të lindur në Lushnje.

Manaj do të largohet me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje nga klubi i tij ri dhe riblerjeje për një shumë të përcaktuar nga ana e Inter-it, gjithmonë nëse zikaltrit do të dëshirojnë ta rikthejnë në skuadër. Cagliari, Cesena, Perugia, Spal apo edhe Sporting Gijon duhet të përshpejtojnë nëse duan realisht të kenë në skuadrën e tyre sulmuesin shqiptar.

(Kosova Sot)