Bastet gjatë Evropianit

  • 30 June 2016 - 09:06
Bastet gjatë Evropianit

Bastvënësit në të gjithë botën do të shpenzojnë 60 miliardë euro gjatë kohëzgjatjes së "Euro 2016" për takimet e këtij aktiviteti. Sipas "France Football", ky është parashikimi që UEFA ka bërë për Evropianin, duke u bazuar vetëm në shifrat zyrtare që i ofrohen nga kompani apo autoritetet e vendeve të ndryshme.

Për momentin, janë publikuar vetëm shifrat zyrtare në Francë, nga kompanitë e monitorimit të basteve sportive, ARJEL dhe FDJ, të cilat kanë bërë të ditur se në territorin francez deri tani janë hedhur 197.7 milionë euro baste. Kjo përbën një rritje të ndjeshme të shifrave të shpenzuara për aktivitetet futbollistike në Francë, duke llogaritur se për Botërorin 2014 u hodhën në total vetëm 109 milionë euro. Nga shifrat e publikuar nga autoritetet franceze, del se 95,7 milionë euro janë vënë baste nëpërmjet kompanive online, ndërsa 22,5% e kësaj shume është vendosur live. Sfidat për të cilat janë hedhur më shumë baste janë ajo e hapjes së "Euro 2016" mes Francës dhe Rumanisë, si dhe dueli Portugali-Islandë, për të cilat janë vendosur 9,2 milionë euro.

Dueli i tretë më i kuotuar është sfida mes Francës dhe Shqipërisë, për të cilën janë hedhur 8,4 milionë euro baste. Në takimin e parë mes Shqipërisë dhe Zvicrës në total janë luajtur 2,7 milionë euro baste, nga të cilat 1,4 ml euro janë në kompanitë online që veprojnë në Francë. Sfida e 15 qershorit është e treta më e lartë në Evropian për nga shuma e hedhur nga bastvënësit. Ndërkaq, në ndeshjen e fundit mes Rumanisë dhe Shqipërisë janë hedhur 2,8 milionë euro baste, ku 1,1 milion euro janë vendosur nëpërmjet internetit

(Kosova Sot)