Çmenduri në NBA!

  • 01 July 2016 - 11:16
Çmenduri në NBA!

Afati kalimtar i basketbollistëve

10 emrat e lirë në basketbollin amerikan

NBA është kampionat i pazakontë, që funksionon me rregulla të pazakonta dhe që bien ndesh me ligjet universale të sportit. Në basketbollin amerikan nuk ka bisedime mes skuadrave për transferimin e yjeve, pasi janë vetë lojtarët që vendosin se ku do të transferohen në fund të kontratës, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

I pari në radhë është Dwyane Wade

Marrëveshjet mes palëve në shumicën e rasteve respektohen deri në ditën e fundit dhe në këtë mënyrë, shumë prej yjeve zhvendosen në skuadra të reja, pa i kushtuar asnjë qindarkë ekipit të ri. Ata quhen “free agent” ose lojtarë të lirë dhe të tillë gjatë kësaj vere ka shumë në kampionatin më spektakolar të basketbollit. I pari në radhë është Dwyane Wade që është gati të dëgjojë oferta të reja. Hipoteza më e mundshme është transferimi i tij te Cleveland Cavaliers, ku do të gjejë një mik të vjetër, mbretin LeBron James. Në Georgia, Al Horford ka bërë gati valixhet për t’u larguar nga Atlanta Hawks pas 9 edicioneve. Skuadra jugore i ka ofruar 153 milionë dollarë për 5 edicione, por konkurrenca e Boston Celtics, Brooklyn Nets, Los Angeles Lakers, Houston Rockets, Orlando Magic, Detroit Pistons dhe Washington Wizards e vështirësojnë misionin e Atlanta-s. Hassan Whiteside është një nga lojtarët e lirë më të kërkuar. Miami Heat po bën të pamundurën për ta kthyer në Florida por pa 22 milionë dollarë në vit nuk mund të hyjë në bisedime me lojtarin që vetëm dy edicione më parë ishte në kërkim të një skuadre ku të provonte aftësitë e tij. Pau Gasol pas dy viteve te Chicago Bulls është gati të kthejë faqe duke flirtuar me San Antonio Spurs, por në radhë qëndrojnë edhe Golden State Warriors dhe New York Knicks. Rajon Rondo është një tjetër emër me peshë. Pas një edicioni te Sacramento Kings ku regjistroi 11.7 asistime për ndeshje kuotat e tij janë rritur ndjeshëm. Kings kërkojnë shtyrjen e bashkëpunimit por duhet të bëjnë kujdes nga Brooklyn. Nic Batum mund të vazhdojë të qëndrojë te Charlotte Hornets pasi është e vetmja skuadër që i ofron një kontratë 5-vjeçare por kërkesa e tij për një pagë stratosferike mund ta shtyjë drejt LA Lakers, Dallas apo Washington.

Dwight Howard dëshiron më shumë para

Jamal Crawford është 36-vjeçar, por kuotat e tij mbeten të larta, sepse është e vështirë të gjesh një si ai që bën diferencën edhe kur e nis ndeshjen nga pankina. New York, Miami, Toronto, Dallas, Brooklyn dhe Orlando janë në garë për të. Telashe po has edhe Memphis-i me Mike Conley që gjatë edicionit të fundit ka rezultuar vendimtar për skuadrën nga Tenesee. Ai ka nisur të dëgjojë ofertat, sepse dëshiron që të luftojë për një skuadër më të fortë. Dwight Howard është lojtari më i lakuar në këtë treg, pasi ka hequr dorë nga 23 milionë dollarë në edicion që i garantonte Houston-i, me objektivin për të përfituar më shumë në një skuadër tjetër. Për momentin në adresën e tij janë prezantuar Atlanta dhe Boston, por një hap të madh mund ta bëjë edhe New York. I fundit në këtë listë është Ryan Anderson që pas 4 viteve te New Orleans mund të ndryshojë ambient. 17-18 milionë dollarë në edicion nis ankandi për shtatlartin që preferon Sacramento-n dhe LA Lakers, por mund të bindet edhe nga Washington.

(Kosova Sot)