Olimpiada e pestë për Phelps-in

  • 01 July 2016 - 11:44
Olimpiada e pestë për Phelps-in

Tjetër rekord nga “Kanibali"

Michael Phelps pritet të garojë në disa disiplina në Olimpiadën e Brazilit dhe kjo do të varet se në cilat evente individuale do të kualifikohet në vazhdim

Sportisti që ka fituar më tepër medalje olimpike, i shton një tjetër xhevahir karrierës së shkëlqyer. Michael Phelps rishkroi historinë e notit, duke u bërë notari i parë amerikan që siguron kualifikimin në pesë Lojëra Olimpike. Një dhuratë për 31-vjetorin që do ta festojë këtë të premte. Phelps fitoi garën e 200 metrave flutur në kualifikueset olimpike të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me kohën 1:54.84.

Në Rio e synon shkallën më të lartë të podiumit

Kaq mjaftoi që “Kanibali” nga Baltimori të siguronte vendin në skuadrën amerikane për “Rio 2016”. Mes ovacioneve të spektatorëve, menjëherë sapo përfundoi garën Phelps nxori dorën nga uji, duke treguar pesë gishtat, që simbolizonin pesë Olimpiadat. Phelps ka fituar 22 medalje olimpike, nga të cilat 18 të arta. Në “Rio 2016” ai do të synojë të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit, ashtu siç ka ndodhur në vitet 2004 dhe 2008, ndërsa në 2012-n u mposht nga afrikano-jugori, Chad le Clos. Menjëherë pas zhgënjimit në Londër, më 14 gusht 2012, notari amerikan njoftoi tërheqjen nga garat e notit, për t’u rikthyer sërish në pishina pas afro dy vjetëve. Phelps pritet të garojë në disa disiplina në Olimpiadën e Brazilit dhe kjo do të varet se në cilat evente individuale do të kualifikohet në vazhdim. Ai do të konkurrojë në 100 metra flutur dhe 200 metra miks, nuk preferoi të garonte në 100 dhe 200 metër stil i lirë, ndërsa mund t’i bashkohet edhe garës ekipore, bazuar te rezultatet e mëparshme.

(Kosova Sot)