Roshi debuton me gol

  • 25 July 2016 - 08:49
Roshi debuton me gol

Ndeshja e parë dhe goli i parë për Odise Roshin me fanellën e Terek Grozny-it. Mesfushori shqiptar ishte menjëherë përcaktues te skuadra ruse, duke realizuar golin e fitores në miqësoren që Tereku zhvilloi ndaj Bologna-s në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri.

Goli i vetëm u shënua nga Roshit që i dha fitoren 1:0 Terek-ut përballë skuadrës së Roberto Donadon-it. Në debutimin e tij, vetëm pak sekonda pasi kishte hyrë në fushë pikërisht në minutën e 71- të, 25-vjeçari nga Fieri finalizoi në mënyrën më të mirë një kundërsulm të shpejtë të skuadrës ruse duke i dhënë avantazhin Terek-ut. Si Roshi ashtu edhe Bekim Balaj e nisën ndeshjen nga stoli por u hodhën në fushë nga trajneri Rashid Rakhimov në pjesën e dytë.

Për Terek Grozny-in kjo ishte ndeshja e fundit miqësore sepse në datën 31 korrik skuadra ku luajnë dy futbollistët shqiptarë do të nisë kampionatin me sfidën ndaj Krylya Sovetov. Odise Roshi këtë të Premte firmosi një kontratë 3-vjeçare me Terek Grozny-in .

(Kosova Sot)