Përtej maksimumit

  • 25 July 2016 - 08:55
Përtej maksimumit

"Ka pasur raste kur këto vasha të reja kanë dalë edhe prej maksimumit të tyre, e këtë e kanë bërë falë dashurisë së madhe ndaj ngjyrave të fanellës dhe për shkak se kanë dashur të dëshmojnë se edhe në Kosovë ka basketboll cilësor", është shprehur Fidan Shatri, përzgjedhës i Kosovës U-16,raporton Gazeta Kosova Sot

P ërfaqësuesja U-16 e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka përfunduar aventurën e saj në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni C, që është zhvilluar në Andorra prej 18 deri më 23 korrik në vendin e katërt. Basketbollistet e reja kosovare në luftë për medalje të bronztë janë mposhtur nga Malta me rezultat 61:28 dhe kështu është dashur të kënaqen me pozitën e katërt në këtë Evropian. Kosova U- 16 në këtë garë i ka regjistruar dy fitore, ku së pari e ka mposhtur Uellsin, më pas Maltën pas vazhdimeve, ndërsa në gjysmëfinale është mundur nga nikoqiri, Andorra, derisa në luftë për pozitën e tretë pas dëshpërimit të eliminimit në gjysmëfinale, janë mposhtur bindshëm nga Malta, të cilën ditë më parë e kishin mundur

Respekt nga të gjithë Për basketbollistet e reja kosovare ky ka qenë debutimi në garat e FIBA-s, derisa javë më parë një gjë të tillë e ka bërë edhe Përfaqësuesja U-18 e Kosovës, e cila ka përfunduar në vendin e pestë në Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C në Tbilisi të Gjeorgjisë. Kosova U-18 po ashtu i ka shënuar dy fitore, ndaj Uellsit dhe Gjibraltarit, por është mundur nga nikoqiri Gjeorgjia dhe nga Malta. Për përzgjedhësin e Kosovës U-16, Fidan Shatri, e rëndësishme është fakti se vashat kanë qenë të disiplinuara dhe janë angazhuar maksimalisht në parket, gjë që i ka lënë përshtypje të gjithëve në Andorra, duke filluar nga organizatori, më pas përfaqësuesve të FIBAs, por edhe ekipeve kundërshtare. "Qysh në start ne treguam se nuk jemi shkuar vetëm sa për t'u paraqitur në parket dhe që nga ai moment të gjithë në këtë kampionat filluan të na respektojnë dhe të mobilizohen, kur luajnë kundër nesh.

Ne kemi zhvilluar disa ndeshje të mira, por kemi mundur të bëjmë edhe më shumë. Sidoqoftë duke u nisur nga fakti se kjo është hera e parë që këto basketbolliste të reja kanë marr pjesë në gara zyrtare të FIBA-s unë si trajner duhet të them se ne duhet të jemi të kënaqur. Ka pasur raste kur këto vasha të reja kanë dalë edhe prej maksimumit të tyre, e këtë e kanë bërë falë dashurisë së madhe ndaj ngjyrave të fanellës dhe për shkak se kanë dashur të dëshmojnë se edhe në Kosovë ka basketboll cilë- sor. Tani na mbetet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, sepse është më se e qartë se basketbolli femëror ka nevojë për investim edhe më të madh, por edhe për punë edhe më të madhe", është shprehur Shatri.

Tani radha e Kosovës U-16 në konkurrencën e meshkujve Përfaqësuesja e Kosovës U-16 në konkurrencën e meshkujve prej 11 deri më 20 gusht do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që do të zhvillohet në Sofje të Bullgarisë. Kosova është në Grupin B së bashku me Norvegjinë, Slloveninë, Rumaninë, Austrinë dhe Ukrainën. Kjo Përfaqësuese udhëhiqet nga trajneri amerikan Chris Dial dhe ndihmësi i tij Edin Kërveshi. Ndërkaq të dielën aventurën e saj e ka përmbyllur edhe Kosova U-20 në konkurrencën e meshkujve që në luftë për vend të 19-të është mposhtur nga Estonia dhe kështu e ka përfunduar Kampionatin Evropian, Divizioni B që është zhvilluar në Chalkida të Greqisë në pozitën e 20-të. Ndërkohë ditë më parë Kosova U-18 në konkurrencën e meshkujve në San Marino në Kampionatin Evropian, Divizioni C është stolisur me medalje të bronztë dhe deri më tani është Përfaqësuesja e vetme që i ka sjellë vendit tonë medalje. 

(Kosova Sot)