Kupa e Botës 2026 me 40 shtete

  • 25 July 2016 - 22:12
Kupa e Botës 2026 me 40 shtete

Kampionati Botëror i vitit 2026 me 40 skuadra, mund të jetë shumë më tepër se një ide

Gjatë një vizite në Nigeri, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino bëri të ditur se kompeticioni më i rëndësishëm futbollistik në botë mund të pësojë ndryshime në të ardhmen sa i përket numrit të skuadrave pjesëmarrëse, gjë që do të sillte dhe ndryshimin në format.

Propozimin e ngritur që në momentin që mori drejtimin e FIFA-s, numri 1 i futbollit botëror e konfirmoi dhe gjatë vizitës së tij në Abuja.

Sipas Infantinos, kjo ide mund të vihet në zbatim në Botërorin e vitit 2026, duke qenë se ato të 2018 dhe 2022 janë përcaktuar tashmë.

Ajo e Infantinos ishte gjithashtu dhe një lëvizje politike teksa konfirmoi në Nigeri se dy nga 8 skuadrat që do të shtohen në numrin e pjesëmarrëseve në këtë kompeticion do të vijnë nga kontinenti afrikan.

Për herë të fundit numri i ekipeve pjesëmarrëse u rrit në Botërorin e Francë 1998, teksa u bë nga 24 në 32, por tashmë në të ardhmen mund të kemi një Botëror me 40 ekipe, gjë që do t’i jepte mundësinë më shumë përfaqësueseve nga të gjitha kontinentet për të qenë pjesë e turneut, përfshi dhe ato evropiane.

(Kosova Sot)