Interesim i jashtëzakonshëm për “Drag Race”

  • 26 July 2016 - 17:58
Interesim i jashtëzakonshëm për “Drag Race”

Festa e “çmendur” e automobilizmit, “Drag Race”, është gjithnjë e më afër, ndërsa interesimi për këtë garë sivjet është edhe më i madh.

Derisa në vitin e kaluar pjesëmarrës ishin saktësisht 100 garues, sivjet ky numër është paraqitur po thuaj dy javë para ditës së mbajtjes.

“Drag Race” edhe sivjet do të mbahet në një pistë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, më 6 e 7 gusht, derisa qysh tash përveç pjesëmarrësve nga vendi ynë, janë paraqitur edhe garues nga Shqipëria, Sllovenia, Bullgaria e Hungaria.

Kjo është hera e tretë që “Drag Race” mbahet në organizim të Federatës së Auto Sportit të Kosovës.

Me gjithë peripecitë për organizmin e saj, kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, shprehet optimist se gjithçka do të jetë në nivelin e duhur.

“Fillimisht është e qartë se numri i garuesve do të jetë shumë i madh dhe ato dy ditë do të jenë një festë e vërtetë e automobilizmit. Sigurisht që edhe numri i shikuesve do të jetë i madh, prandaj organizimi i këtij aktiviteti kërkon shumë punë, shumë përkushtim, por edhe kontribut të të gjithë atyre që kanë mundësi të ndihmojnë“, ka thënë Rexhepi, i cili më pas ka shtuar:

“Zyrtarë të FIA-s kanë qenë tek ne dhe e kanë parë nga afër vendin ku do të mbahet gara, e po ashtu edhe nivelin e përgatitjeve. Na pret edhe shumë punë, por besoj se deri më 6 gusht gjithçka do të jetë gati”.

Pjesëmarrjen në garë e ka konfirmuar edhe fituesi i vitit të kaluar, Arton Ismaili nga Zvicra.

(Kosova Sot)