Trajneri i Zvicrës: S’pata nevojë t’i bindi kosovarët

  • 29 August 2016 - 21:13
Trajneri i Zvicrës: S’pata nevojë t’i bindi kosovarët

Vladimir Petkoviq ka deklaruar se nuk ka pasur nevojë të bind lojtarët kosovarë që të vazhdojnë me përfaqësuesen zvicerane

Përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviq, gjatë një konference për media para ndeshjeve kualifikuese për Botërorin ‘Rusia 2018’, është pyetur lidhur me qëndrimin e Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit e Valon Behramit te Zvicra, edhe përkundër se kishin mundësi të zgjedhnin Kosovën pas pranimit në UEFA e FIFA.

Petkovic tha se nuk ka pasur nevojë të bindë asnjërin prej tyre, duke lënë të kuptohet se vetë lojtarët nuk e dëshironin largimin nga përfaqësuesja e Zvicrës.

“Nuk kam pasur nevojë ta bind askënd që të vazhdojë me ne”, ka deklaruar Petkoviq duke qeshur, raporton “20min”.

Valon Behrami, Granit Xhaka, Shani Tarashaj ditë më parë u përfshinë në ekipin e Zvicrës për ndeshjet e ardhshme duke i dhënë fund dilemës se ata do të largohen nga Zvicra për të përfaqësuar Kosovën.

Në këtë listë mungoi Xherdan Shaqiri, jo për shkak se ai mori një vendim tjetër, por për shkak të një  lëndimi.

(Kosova Sot)