Kush po i frikëson yjet?

  • 30 August 2016 - 09:34
Kush po i frikëson yjet?

Skandalet e përditshme në vendin tonë, korrupsioni i vazhdueshëm, madje edhe aferat e fundit të përgjimeve telefonike, maksimalisht po i japin një imazh të keq vendin, gjë e cila nuk ka sesi të mos sjellë pasoja edhe në sport. Refuzimet e fundit që i janë bërë Kosovës nga sportistët për ta veshur fanellën e vendit të tyre, shumëkush i lidh edhe me gjëra e lartpërmendura. Megjithatë, ka të atillë që nuk pranojnë asnjë arsyetim, pasi thirrjeve të vendit tënd çdokush e ka obligim t'i përgjigjet e assesi t'ia kthejë shpinën. Ish- futbollisti i njohur kosovar Ismet Munishi, i cili për një kohë të gjatë bëri karrierë jashtë vendit dhe e di shumë mirë gjendjen emocionale të një lojtari kur është jashtë vendit, thotë se refuzimet e fundit kanë qenë si një "bombë", por që dikush duhet të sqarojë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur, shkruan gazeta Kosova Sot.

Munishi në asnjë mënyrë nuk pajtohet se ne në Kosovë mund të jemi fajtorë pse ata nuk kanë ardhur. "Sigurisht që ata janë shumë mirë të njoftuar për situatën në vendin tonë, por këto gjëra që i përmende më lart nuk besoj se kanë ndikuar. Kur Didier Drogba ka pranuar të shkojë të luajë për Bregun e Fildishtë, madje në kohën ku vendi ishte në kohë lufte dhe pikërisht ndikimi i tij ka bërë që paqja të kthehet në vend, atëherë askush nuk mund të thotë se kam arsye mos t'i bashkohem vendit", ka thënë Munishi. Se çfarë në fakt ka ndodhur ende nuk kemi një version zyrtar, por deshëm apo jo duhet pranuar se gatishmëria e lojtarëve kosovarë që janë pjesë e Zvicrës këtë herë nuk ka qenë aq e madhe, sikurse nuk duhet shfajësuar as institucionet shtetërore, të cilat sikur e lanë vetëm FFK-në në këtë rrugë- tim, e cila duket se nuk ka qenë aq sa duhet e gatshme të bartë gjithë këtë peshë.

Shumë gjëra për t'u sqaruar

Trajneri kosovar dhe njëkohësisht menaxher, Ismet Munishi ende nuk e ka të qartë pse këta legjionarë i thanë vendit të tyre "jo", kur dihet se ata vazhdimisht e kanë përkrahur Kosovën në mënyrë të ndryshme, duke mos e fshehur asnjëherë prejardhjen e tyre, por ja që në momentin vendimtar i kthyen shpinën. "Kosova mendoj se ka bërë mjaft që ata të vijnë. Pra, nuk mund të themi se ne kemi faj ose ndonjë gjë ka ndikuar në vendimin e tyre. E dimë që emocionalisht ata janë të lidhur me vendin e tyre, disa herë e kanë treguar këtë, por pse nuk erdhën, sinqerisht unë nuk kam një përgjigje", ka thënë Munishi, për të cilin këto gjërat duhet të sqarohen dhe do të ishte mirë sa më shpejt, në mënyrë që mos t'u lihen vend spekulimeve të ndryshme. Për Munishin, refuzimi i tyre nuk mund të ketë ndikim te imazhi i vendit, dhe nëse përfaqësuesja jonë arrin që në fillim të tregojë një organizim të mirë dhe rezultate, atëherë entuziazmi dhe dëshira për t'iu bashkuar Kosovës vetëm do të rritet. "Se çfarë duhet të bëjmë ne që në të ardhmen të tjerët mos të na refuzojnë, mendoj se rol të madh do të luajë paraqitja e Kosovës në këto eliminatore. Shpresoj në rezultate të mira të cilat do ta rrisnin entuziazmin edhe te lojtarët të tjerë", ka thënë Ismet Munishi.

Reagon FFK-ja

Federatës së Futbollit të Kosovës i janë dashur disa ditë për të dalë me një deklaratë lidhur me atë se çfarë i shtyu Granit Xhakën, Valon Behramin, Shani Tarashajn e Xherdan Shaqirin t'i thonë "jo" Kosovës, madje ka qenë babai i Granitit, Ragip Xhaka ai që i ka shtyre drejtuesit e FFK-së të flasin për këtë çështje. Xhaka në njëfarë forme kishte fajësuar FFK-në që nuk ka bërë mjaftueshëm që djali i tij t'i thotë po Kosovës, gjë me të cilën nuk është pajtuar Vokrri, sipas të cilit, Xhaka është dashur të bëjë kërkesë në FIFA që dëshiron të luajë për Kosovën, por këtë gjë nuk e ka bërë. Pavarësisht debatit të madh që po bëhet rreth këtyre çështjeve, Përfaqësuesja e Kosovës po e vazhdon punën e saj, e cila po bëhet gati për t'u prezantuar në ndeshjen e parë që do ta zhvillojë ndaj Finlandës me 5 shtator.

(Kosova Sot)