Rrugës për Olimpiadën e Tokios

  • 25 September 2016 - 09:28
Rrugës për Olimpiadën e Tokios

Shumë garues potencialë për Lojërat Olimpike të ardhshme

Sporti i xhudos jorastësisht i ka sjellë Kosovës shumë medalje në arenën ndërkombëtare. Pas përfundimit të Olimpiadës së Rios, ata menjëherë kanë filluar punën intensive për atë të Tokios, që do të mbahet më 2020. Sukseset e para kanë ardhur në Zagreb të Kroacisë, por xhudistët i pret një rrugë e gjatë 4-vjeçare

Pa dyshim se xhudo është sporti më i suksesshëm kosovar në arenën ndërkombëtare. Ky sport i ka sjellë Kosovës kampionë evropianë, botërorë dhe olimpikë, dhe të gjitha këto suksese nuk janë të rastësishme. Menjëherë pas përfundimit të Lojërat Olimpike të Rios, ata kanë filluar punën për Olimpiadën e Tokios, që do të zhvillohet më 2020. Tashmë shumë xhudistë janë në aksion me shpresë se do të realizojnë ëndrrën e tyre, shkruan gazeta Kosova Sot.

Fillojnë me suksese 

Në garën e fundit që u mbajt në Zagreb, Grand Prix, Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë, kurse Fjolla Kelmendi të bronztën. Në garë morën pjesë edhe Kushtrim Gashi dhe Akil Gjakova. Ky i fundit ishte paraqitur edhe në Evropianin për junior në Malaga të Spanjës, duke u renditur në vendin e pestë. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, ishte i kënaqur me rezultatet e fundit. "Medalja e argjendtë për Distria Krasniqin dhe 180 pikë janë sukses i madh. Është kënaqësi e veçantë ta shohësh dikë (Fjolla Kelmendi) që është kthyer pas shtatë viteve pauzë, pra të rikthehet në këtë mënyrë është e jashtëzakonshme. Shpresoj që Fjolla të vazhdoj të punoj, dhe të bëhet kandidate serioze për normë në Lojërat Olimpike 'Tokio 2020'. Fjolla ka fituar 120 pikë botërore", është shprehur i pari i xhudos kosovare.

Image

Më shumë investime në xhudo 

Edhe përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, është shprehur i kënaqur që përveç Majlindës edhe garuesit e tjerë kosovarë fitojnë medalje. Ai ishte i pakënaqur me trajtimin e xhudos në Kosovë dhe kjo nuk ka ndryshuar edhe pasi Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë olimpike në Rio. "Ne vazhdojmë punën çdo ditë nga 4-8 orë. Unë me nxënësit e mi, deri sot asnjë ndryshim dhe as lëvizje pozitive nuk kemi parë, përveç fjalëve për sportin e xhudos, për ekipin olimpik 'Tokio 2020'", ka thënë trajneri i mirënjohur. Ai ka ftuar zyrtarët e institucioneve të Kosovës të investojnë më shumë në xhudo, pasi ky sport i ka sjell shumë suksese Kosovës. "Fillo me xhudo në shumë qytete të Kosovës. Ftesë për çdo kryetar të Komunës, ku ka interesim e ende s'ka klub të xhudos. Të sigurohet palestra tatami, ne si federatë do të jemi në dispozicion me trajnerë të fillojmë punën. Investoni në sportin që po na jep pak dinjitet në botë", ka theksuar Kuka. Në Lojërat Olimpike të fundit, Kosova mori pjesë me tetë garues, ku Majlinda fitoi medaljen e vetme, që ishte e artë, derisa lëndimi e penalizoi Nora Gjakovën. Kjo e fundit kishte fituar medaljen e vetme të Kosovës në Lojërat Evropiane në Baku të Azerbajxhanit. Nora pas kthimit nga Rio ishte operuar në gju, dhe ka filluar fazën e rehabilitimit, ashtu si edhe Leutrime Krasniqi. Kujtojmë që Majlinda dhe Nora ishin garueset e vetme nga Kosova, që u paraqitën me normë olimpike dhe është pritur më shumë nga xhudistet pejane. Megjithatë, synimi i tyre është të vazhdojnë me ritëm të njëjtë dhe të marrin pjesë edhe në Olimpiadën e ardhshme, ku normalisht do të luftojnë për suksese.

(Kosova Sot)